
Kreu i deritanishëm i LSDM-së Dimitar Kovaçevski njoftoi sot kryesinë ekzekutive të partisë për tërheqjen e tij nga funksioni i kryetarit. Ai mes tjerash inicioi mbledhjen e Kongresit të LSDM-së për analizimin e rezultateve zgjedhore dhe locimin e përgjegjësisë, që siç thotë ai, është në të gjitha nivelet e strukturave të partisë.
“Ftoj të gjithë kryesinë e partisë që ta bëjë të njëjtën gjë, që nga anëtarët e kryesisë, përmes organeve qendrore të partisë, deri te organet komunale të kryesisë së partisë. LSDM-ja do të duhet të shikojë mirë nga brenda, të mendojë se çfarë kemi bërë dhe cilat janë rezultatet dhe dobësitë në 4 vitet e fundit, ndoshta edhe në 7 vitet e fundit. Dhe më e rëndësishmja, çfarë duhet bërë për të rikthyer besimin e qytetarëve që kemi humbur”, thuhet në letrën që Kovaçevski adresoi te kryesia partiake. /Alsat.mk
