KE-ja fton Shkupin dhe Athinën t’i përmbahen Marrëveshjes së Prespës

Zëdhënësi i Komisionit Evropian (KE) për Euractiv, tha se Marrëveshja e Prespës midis Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut duhet të zbatohet nga “të gjitha palët” dhe me “vullnet të mirë”. Kjo vjen pas mosmarrëveshjes së re midis Athinës dhe Shkupit për çështjen e emrit.

Kriza e re diplomatike midis dy vendeve shpërtheu pasi presidentja e re e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, e cila vjen nga radhët e VMRO-DPMNE-së, refuzoi të përdorte emrin zyrtar të vendit gjatë inaugurimit të saj më 12 maj.

Siljanovska e quajti vendin “Maqedoni” në vend të “Maqedonia e Veriut”, emri zyrtar kushtetues pas marrëveshjes së vitit 2018 me Greqinë për ndryshimin e emrit, e njohur ndryshe si Marrëveshja e Prespës.

Incidenti ka ngjallur reagime në të gjithë Evropën dhe Shtetet e Bashkuara, të cilat kanë frikë nga një ringjallje e kontestit, e cila shihet si një plagë e hapur për rajonin e Ballkanit.

Komisioni Evropian thotë se “të gjitha palët” duhet t’i përmbahen marrëveshjes.

“Marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe bashkëpunimi rajonal mbeten thelbësore për procesin e zgjerimit. Marrëveshjet ekzistuese dypalëshe duhet të zbatohen me mirëbesim nga të gjitha palët, përfshirë edhe Marrëveshjen e Prespës ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë”, tha zëdhënësi i Komisionit Evropian për Euractiv.

Marrëveshja e Prespës i hapi rrugën Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në NATO dhe fillimin e negociatave për anëtarësim në BE.