
Pas reagimit të opinionit vendas dhe ndërkombëtar, presidentja Gordana Siljanovska Davkova përmes një komunikate për media tha do t’i përmbahet aplikimit zyrtar të emrit kushtetues.nga kabineti I Siljanovskës thonë se presidentja Siljanovska ka të drejtë të përdorë emrin Maqedoni, si akt i të drejtës personale për vetëvendosje.
“Në daljet e saj publike, presidentja Siljanovska ka të drejtë të përdorë emrin Maqedoni, si akt i të drejtës personale për vetëvendosje dhe vetëidentifikim, duke respektuar të drejtat dhe liritë themelore të njeriut dhe në përputhje me vlerat dhe parimet evropiane. Sipas Kushtetutës, të përgatitur nga shërbimet e Kuvendit, betimi solemn është nënshkruar duke përdorur emrin kushtetues”, thuhet në komunikatë. Aty sqarohet se institucionet maqedonase në 5 vitet e fundit pothuajse plotësisht i kanë përmbushur obligimet e tyre nga Marrëveshja e Prespës dhe presidentja pret që të gjithë partnerët maqedonas të respektojnë obligimet bilaterale dhe shumëpalëshe që i kanë marrë ndaj vendit.