Ekspertët amerikan: Është koha që RMV-ja të lëviz përpara

Maqedonia e Veriut zgjodhi presidenten grua, kurse koalicioni që udhëhiqej nga LSDM-ja pësoi disfatë historike. Çfarë do të thotë kjo për të ardhmen e vendit mbetet të shihet, por shqetësimet e bashkësisë ndërkombëtare janë se vendi mund të devijojë nga rruga evropiane nëse nuk i përmbush premtimet, shkruan “Zëri i Amerikës” në gjuhën maqedonase, duke analizuar rezultatin zgjedhor.

Ish-Ambasadori amerikan në Shkup, Philip Reeker, vlerëson se zgjerimi i BE-së s`ka alternativë dhe se kjo është e ardhmja e Maqedonisë së Veriut.

“Shoh momentin e vërtetë për zgjerimin, zëra të tilla vijnë nga Brukseli dhe nga kryeqendrat tjera evropiane, është koha që RMV-ja të lëviz përpara”, tha Philip Reeker, diplomat amerikan.

Analisti ballkanik, Edward Joseph, vlerëson se qeveri e re në Shkup duhet të dëshmojë lidership, duke marrë parasysh mbështetjen e madhe që mori gjatë zgjedhjeve.

“Do të ketë partner shqiptar në Qeveri. Me siguri do të jetë opozita VLEN. Ata do të kenë sfida, u obliguan të votojnë për ndryshimet kushtetuese. Çfarë do të ndodh nëse pas 6 muajsh nëse me OBRM-PDUKM-në në Qeveri nuk votohen ndryshimet kushtetuese? Çfarë do të ndodh në RMV? Çështja mbetet e hapur”, tha Edward Joseph , analist Ballkanik.

Drejtori për Evropën i Institutit Ndërkombëtar Republikan – IRI ka komentuar raportet e ardhshme Shkup – Sofje, duke marrë parasysh se në RMV vjen garnitura e re politike.

“Duhen koka të ftohura që dy vendet të lëvizin përpara, por edhe shumë diplomaci nga Brukseli dhe Uashingtoni, për të lehtësuar procesin që qëllimi përfundimtar të jetë RMV-ja të bëhet anëtare e BE-së”, tha Pol Mekarti, IRI.

Ish-Ambasadori i BE-së në Shkup, Ervan Fuere, ardhjen në pushtet të partisë me oreintim djathtist nuk e sheh si mundësi për ndikim më të madh të Moskës.

“Përparësi e qeverisë së re në Shkup, do të jetë se pas zgjedhjeve evropiane, do të ketë qeveri të reja djathtiste. OBRM-PDUKM-ja mund të ketë mbështetjen për argumentet e tyre kundër kërkesave bullgare në rrugën drejt BE-së”, tha Ervan Fuere, ish ambasador i BE-së në Shkup.

Nadja Muzikina nga NDI ka theksuar se pavarësisht se kush ka pushtetin, Maqedonia e Veriut duhet të respektojë marrëveshjet ndërkombëtare.

“Nuk besoj se kërcënohet Marrëveshja e Prespës me qeverinë e re në RMV dhe pres që OBRM-PDUKM-ja dhe Presidentja e re të mbeten në rrugën drejt BE-së. Rajoni kalon nëpër turbulenca dhe e domosdoshme është që faktori ndërkombëtar të fokusohet më tepër në Ballkanin Perëndimor”, tha Nadja Muzikina, NDI. Analistët vlerësojnë se lëvizjet zgjedhore nga e majta në të djathtë në Maqedoninë e Veriut, janë nxitur nga revolta e votuesve për shkak të zhvillimit të ngadaltë ekonomik dhe korrupsionit të vazhdueshëm që sipas tyre ndikon në ngadalësimin e aderimit në BE.