Liderët e Frontit Evropian nga tubimi përmbyllës në Tetovë dërguan mesazhet se Maqedonia e Veriut nuk ka alternativë tjetër, përpos anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Integrimet euroatlantike nisën me anëtarësimin në NATO dhe duhet të përmbyllen me misionin që vendi të bëhet anëtare fuqiplotë e BE-së – tha lideri I BDI-së, Ali Ahmeti, duke pohuar se Fronti Evropian e ka bërë më të fortë këtë synim.
“Asnjëherë nuk kam dalë që ta them atë që s`mund ta bëj, por sot unë jam më i fortë me vëllezërit e Frontit dhe kemi dhënë një betim që ky vend, vendin e ka në BE” – tha Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.
Edhe pse fjalimi i Ahmetit nuk ishte i “zjarrtë” dhe i koncentruar kryesisht në misionin e këtij fronti, ai nuk harroi që t`u përgjigjet retorikës së oponentëve politik.
“Alternativë tjetër nuk ka. Ata zëra të mekur që dëgjohen. A e patë me një përgjigje, me një fishekzjarre që gjuajti Mickoski, unë gjuajta me top dhe s`ka më të shtëna” – tha Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.
Munir Kollashinac nga Partia Boshnjake, Fatima Osmanovska nga Unioni I Romëve, Bejxhan Iljas nga Partia Demokratike Turke, Arjanit Hoxha nga PDE-ja, Skender Rexhepi nga Lëvizja “Populli”, Menduh Thaçi nga PDSH-ja dhe Ziadin Sela nga ASH-ja, por edhe Kryeministri Talat Xhaferi në cilësinë e përfaqësuesit të Frontit Evropian, nga sheshi i Tetovës dërguan porosinë që më 8 maj, qytetarët të përcaktohen për të ardhmen e vendit në Bashkimin Evropian, duke u zotuar se pa Frontin Evropian nuk do të ketë qeveri të re. /tvklan.mk/