Kandidati presidencial nga Fronti Evropian, Bujar Osmani duke komentuar sot vokabularin e VMRO-DPMNE-së, ka vlerësuar se, sloganet e përdorura gjatë fushatës zgjedhore janë antiligjore dhe përmbajnë elemente shoviniste. Sipas tij, në to ka elemente të shkeljes së nenit 137 të Kodit Penal dhe prokurori duhet të kërkojë përgjegjësi.
“Të keni slogan “Makedonija povtorno tvoja” është thirrje shoviniste. Të keni slogan “Da ja vratime gordosta” është thirrje shoviniste. Të kërkoni 61 deputetë që të përjashtoni komunitetet tjera është thirrje shoviniste dhe ka punë shumë këtu për prokurorin” – tha Bujar Osmani, kandidat presidencial i Frontit Evropian.
Në kuadër të fushatës së tij, Osmani realizoi një takim me të rinjtë. I pyetur nëse në programin e tij ka ndonjë strategji për ndalimin e migrimit të të rinjve, ai tha se e vetmja mënyrë për të ndalur fluksin e migrimit, është anëtarësimi në BE.
“Secili që premton se ka formulë magjike se nesër do të ndalë ikjen e të rinjve ose do t’i kthejë ata që veç më kanë ikur, ai ose nuk e njeh sistemin ose manipulon me qytetarët. E vetmja mënyrë për të ndalur migrimin e të rinjve është anëtarësimi në Bashkimin Evropian” – tha Bujar Osmani, kandidat presidencial i Frontit Evropian.
Me takimin me të rinjtë, Osmani rrumbullakësoi fushatën parazgjedhore për zgjedhjet presidenciale, e cila përfundon sonte në mesnatë.