Palestinezët festojnë në rrënojat e Gazës

Faljen e namazit të ditës së Fitër Bajramit, banorët e Rripit të Gazës e kryen në rrënojat e xhamive të shkatërruara nga lufta izraelite që ka hyrë në muajin e 7-të.

Ky filmim tregon besimtarët palestinezë në Rafah, të cilët kryejnë faljet në rrugën përpara një prej xhamive më ikonike të qytetit, nga e cila ka mbetur më këmbë vetëm një minare dhe rrënojat e saj.

Hija e luftës së Rripit të Gazës me mbi 33 mijë viktima dhe lutjet për paqe mbizotëruan edhe faljet në xhamitë e mbarë botës ku kremtohet Fiter Bajrami.

Në një intervistë televizive, presidenti amerikan Joe Biden tha se nuk ishte dakord me qasjen e deritanishme të Izraelit në luftën kundër Hamasit.

Sipas Bidenit, qeveria izraelite duhet urgjentisht të hapë rrugëkalimet për hyrjen e ushqimeve dhe ilaçeve në Rripin e Gazës në 6 deri 8 javët e ardhshme.

Ndërsa ministrja e jashtme e Australisë, Peni Uong, një tjetër vend aleat besnik i Izraelit deri më sot, paralajmëroi se po shqyrton mundësinë e njohjes së shtetit palestinez, ndryshe nga qasja e deritanishme, për krijimin e një shteti vetëm përmes negociatave dypalëshe mes izraelitëve dhe palestinezëve.