OKB-ja dhe BE-ja thonë se Izraeli nuk po merr masa “adekuate” për të ofruar ndihmë humanitare dhe për të mbrojtur civilët.
Pas rritjes së presionit ndërkombëtar, Izraeli ka njoftuar se do të hap “përkohësisht” dy rrugë për ndihmë humanitare, kalimin tokësor në Erez dhe portin e Ashdod.
Megjithatë, sipas shefit të politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, këto kalime “nuk janë të mjaftueshme për të parandaluar vdekjet nga uria në Gazë”, shkruan euronews.
Edhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, u shpreh se “këto synime do të materializohen në mënyrë efektive dhe të shpejtë”, duke theksuar se “kushtet dramatike humanitare kërkojnë një hap të madh në shpërndarjen e ndihmave për shpëtimin e jetës”.
Ndërkohë, bisedimet për një armëpushim të mundshëm thuhet mund të ngecin sërish.
Kjo pasi Hamasi së fundmi ka hedhur poshtë propozimin e Izraelit për shkëmbimin e pengjeve dhe arritjen e një armëpushimi të përkohshëm.
“Propozimi izraelit nuk përfshin asgjë të re”, u deklarua Hamasi.
Ndryshe, zyrtarë të SHBA-së dhe Izraelit po planifikojnë të vazhdojnë bisedimet në Kajro në përpjekje për të arritur një marrëveshje, edhe pse pas refuzimit të Hamasit zyrtarët izraelit mendojnë se nuk ka ndonjë arsye tjetër për të vazhduar negociatat.
Në përpjekje për të stimuluar procesin e marrëveshjes, edhe presidenti amerikan Joe Biden u shkroi letra liderëve të Egjiptit dhe Katarit, duke u bërë thirrje atyre “t’i bëjnë presion Hamasit për të rënë dakord me marrëveshjen”.