Fronti Europian hapi shtabin në Ohër/ Sela: Do jemi fitues absolut në zonën e 5-të

Bashkimi Demokratik për Integrim në prezencë të një numri të madh të simpatizantëve dhe anëtarëve hapi shtabin zgjedhore komunal në qytetin e Ohrit.

Në hapjen e shtabit në Ohër pjesëmarrës ishin bartësi i listës në Zonën e V-të zgjedhore, Ziadin Sela dhe Musa Xhaferi si dhe koordinatorët e BDI në këtë zonë ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi dhe ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri.

Bartësi i listës Ziadin Sela tha se në këto zgjedhje nuk ka dy blloqe politike, por ka vetëm një bllok, e ai bllok është Fronti Europian.
Çdo votë që e nxjerrim për Frontin Europian është votë që e shkëpusim prej VMRO- dhe Levicës sepse ato nuk janë për ndryshimet kushtetuese. Është kusht i Bashkimit Europian që të hapen të gjitha kapitujt. Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria këtë proces e çojnë paralel dhe duhet shumë shpejt të bëhemi pjesë e BE-së për të ardhmen e fëmijëve tanë”, tha Sela.

Musa Xhaferi në fjalën e tij tha se ky Front është krijuar për të trasuar rrugën drejt Bashkimit Europian, duke shtuar se kundërshtarët politik Ohrin nuk e kanë vizituar as si turista.

“Bashkë me Ziadinin do të bëjmë fushatë demokratike në zonën 5. Kundërshtarët tanë Ohrin nuk e kanë vizituar as si turista. Ata që pretendojnë të vijnë në pushtet nuk ofrojnë program. Ohri do ta shpallë fitoren e Frontit Europian dhe në zonën 5 do të jemi fitues apsolut”, tha kandidati për deputet Musa Xhaferi.

Të dy kandidatët për deputet një zëri theksuan se Fronti Europian ka kandidatin më të mirë për president, dhe këtë Bujar Osmani e ka dëshmuar duke udhëhequr në mënyrën më të mirë me ministrinë e Jashtme.