Ndonëse u thirr nga “Aleanca për Teatrin”, protestës përpara Bashkisë së Tiranës i priu opozita, e cila kërkoi dorëheqjen e Kryebashkiakut Erion Veliaj dhe arrestimin e tij.
Prangosja e disa prej drejtorëve të Bashkisë së Tiranës për abuzime me tenderat nëpërmjet kompanisë “5D” sipas Gazment Bardhit mjafton për arrestimin e kryetarit të bashkisë, të cilin opozita e akuzon se qëndron pas kësaj afere.
“Veliaj nuk do të duhet që të ishte në zyrën e kryetarit të bashkisë, por të shoqëronte pesë vartësit e tij në burg. Ky nuk është një rast i shkëputur dhe është e njëjtë skemë e përdorur nga drejtuesi i ARRSH dhe është në çdo bashki të vendit që drejtohet nga socialistët”, tha ai.
Protestuesit ishin pajisur me vezë e mollë, arsenal të cilin se kursyen në drejtim të godinës së Bashkisë, që ishte “blinduar” nga forca të shumta policore.
Nuk munguan as momentet e tensionit, teksa disa herë tentuan të hynë brenda në bashki.
Përplasje me uniformat blu pati edhe nga ana e përfaqësuesve të opozitës në Këshillin Bashkiak të Tiranës, të cilët kishin ardhur me një kërkesë zyrtare për thirrjen urgjente të këtij organi lidhur me arrestimet e ditëve të fundit, por që nuk u lejuan të hynë brenda.
Në protestë mori pjese edhe vajza e ish-Kryeministrit Berisha, e cila shigjetoi SPAK-un për standard të dyfishtë në rastin e Veliajt.
“Ju nuk kemi parë një hetim nga SPAK për këtë çështje përsa i përket Erion Veliajt dhe ka gjithashtu tentativa për ta minimizuar kualifikimin e veprës penale në shpërdorim detyre ndërkohë që kjo është një vjedhje flagrante miliona euroshe”, tha Argita Malltezi.
Opozita dhe Aleanca për Teatrin paralajmëroi mbajtjen e një tjetër proteste përpara Bashkisë së Tiranës, pas urdhër- arresteve që SPAK-u lëshoi më 28 Mars për 3 drejtorët e Bashkisë së Tiranës, ndërsa 6 zyrtarë të tjerë u lanë në detyrim paraqitje.