Në KSHZ, kandidatët për President të vendit nënshkruan Kodeksin për zgjedhje korrekte dhe demokratike. Vetëm Stevço Jakimovski nuk e firmosi Kodeksin duke pretenduar për favorizime të kandidatëve.
Pendarovski theksoi se vendi ka kapacitete institucionale që i gjithë procesi të jetë korrekt dhe demokratik.
“Do të dëshmojmë si shtet se jemi të gatshëm që të mbajmë zgjedhje të lira dhe demokratike dhe atë në nivelin më të lartë sipas standardeve ndërkombëtare. Procesi do të jetë demokratik”, tha Stevo Pendarovski.
Gordana Siljanovska tha se do të flasë përmes argumenteve dhe me program duke shtuar se do t`i respektojë gjithë kundërkandidatët.
“Do t’i respektoj të gjithë kandidatët e posaçërisht kandidaten tjetër. Më vjen mirë që jemi dy femra, që dëshmon se edhe femrat mund të garojnë për pozicione të larta në vend”, tha Gordana Siljanovska.
Bujar Osmani tha se do të angazhohet për fushatë pozitive. Sipas tij, akti I sotëm paraqet obligim ndaj qytetarëve.
“Kjo është më tepër çështje e moralit politik se do t`u qasemi në mënyrë korrekte këtyre zgjedhjeve. Në fund të fundit kjo do të reflektoj moralin politik dhe karakterin tonë”, tha Bujar Osmani.
Arben Taravari beson se këto zgjedhje do të jenë më demokratike dhe më korrekte.
“Uroj që të kemi debate, pavarësisht se kush i organizon, debatet janë të pashmangshme, ne duhet të ballafaqohemi mes vete. Uroj që këto zgjedhje të jenë të lira dhe demokratike, edhe pse kjo nuk varet nga ne kandidatët por më shumë nga partitë politike”, tha Arben Taravari.
Edhe pse nuk I beson, Biljana Vankovska nënshkroi dokumentin, duke u bërë thirrje televizioneve që të organizojnë debate me gjithë kandidatët.
“Nuk besoj në këtë copë letër. Në vendin ku nuk respektohet Kushtetuta dhe ligji, ne këtu themi fjalë të mira dhe se fushata do të jetë në nivel të lartë moral e politik”, tha Biljana Vankovska.
I gatshëm për të pranuar sfidat e debateve publike u shpeh Maksim Dimitreivski.
“Do t`i pranoj paraqitjet publike ku do të ftohem. Për momentin dy kundërkandidatë janë më të favorizuar. Është fakt se nuk kemi të drejta dhe mundësi të barabarta edhe pse e kemi të garantuar me Kushtetutë”, tha Maksim Dimitrievski.
Stevco Jakimovski tha se do ta respketojë por nuk do ta nënshkruajë Kodeksin. Sipas tij, disa kandidatë janë të favorizuar.
STEVCO JAKIMOVSKI – KANDIDAT PRESIDENCIAL
“Nëse nuk ka debate, unë nuk e nënshkruaj Kodeksin. KSHZ-ja është e obliguar t`i bëjë të gjitha kushtet për realizimin e zgjedhjeve”, tha Stevço Jakimovski.
Kandidatët presidencial u zotuan se do të angazhohen për të respektuar ligjet, për zgjedhje të lira e demokratike dhe se nuk do të përdorin gjuhë të urrejtjes gjatë fushatës zgjedhore./tvklan.mk