Të nderuar liderë të partive, ju që u bashkuat dhe u bashkuam në Frontin Evropian. Këto janë emocione të bukura. Kemi patur emocione të përgjegjësisë, të fitores dhe emocione për të arritur diçka edhe nga egoja. Por, emocioni i bashkimit për ti bërë bashkë shqiptarët në një udhëtim që është amanet gjyshërish, të gjeneratave që kanë vuajtur gjykime e maltretime, amanete rilindëse që na treguan se rruga jonë është Evropa dhe Perëndimi. Bashkimi është amanet edhe i Kongresit të Alfabetit, kur shqiptarët u bashkuan për një shqiptari drejt Evropës dhe SHBA-ve. Kështu e nisi fjalimin e tij kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela pasi firmosi bashkimin me Frontin Evropian të kryesuar nga Bashkimi Demokratik për Integrim.
Në sallën e tejmnushur “Rinia” në Gostivar, Sela tha se bashkimi me BDI-në dhe Frontin Evropian është për të trasuar rrugën evropiane dhe rrugën e zhvillimit.
“Prandaj sonte ne jemi këtu, për ta trasuar këtë rrugë, për ta bërë më të shpejtë, për ta bërë rrugë dykahëshe, për rrugën edhe të vëllezërve tanë mërgimtarë që të vijnë në strofujt e gjyshërve dhe stërgjyshërve. Prandaj unë shoh shumë fytyra këtu prezente të miqve, por edhe të kundërshtarëve. Në disa raste, jemi bërë bashkë edhe në heshtje për të mirën e përgjithshme. Jemi bërë bashkë për shumë vendime për të mirën tonë dhe të aleatëve tanë ndërkombëtarë. Çdo herë kemi ditur ta gjejmë gjuhën e përbashkët”, ka thënë Sela, ndërsa i ka dërguar indirekt porosi bashkëpartiakëve të tij të rreshtuar pas opozitës shqiptare.