Zgjedhjet 2024/ Fundjava e promovimeve të koalicioneve dhe listave!

Në prag të zgjdhjeve parlamentare të 8 majit, LSDM-ja dhe VMRO-DPMNE-ja gjatë fundjavës promovojnë listat e kandidatëve për deputetë, kurse BDI-ja zyrtarizon “Frontin Evropian”. Partitë bëjnë taktizimet e fundit në prag të zyrtarizimit të kandidatëve dhe koalicionave.

Të dielën LSDM-ja do t`i promovojë listat për deputetë të koalicionit për të ardhmen evropiane.

Nga ana tjetër, sonte në Gostivar do të firmoset marrëveshja e koalicionit midis Kryetarit të Aleancës për Shqiptarët Ziadin Sela dhe Kryetarit të Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, me cka edhe përfundimisht do të zyrtarizohet fronti evropian.

Në prag të zgjedhjeve të dyfishta, tashmë janë kristalizuar 5 koalicione dhe dy parti që do të garojnë të vetëm në zgjedhje.

Pak para nisjes së fushatës zyrtare zgjedhore janë definuar koalicionet – “Koalicioni për ardhmëri evropiane” që udhëhiqet nga LSDM-ja, “Maqedonia Yte” e VMRO-DPMNE-së, koalicioni “Me guxim për Maqedoninë” që udhëhiqet nga partia “Grom”, “Fronti Evropian” që udhëhiqet nga BDI-ja dhe koalicioni “Vlen” i opozitës shqiptare.

Të vetëm në zgjedhje, për momentin, shkojnë “Levica” dhe partia “Znam”.

Pjesëmarrësit në zgjedhje, deri më 2 prill duhet që në KSHZ të dorëzojnë listat për kandidatë.

Zgjedhjet parlamentare janë caktuar për më 8 maj, kurse javën e ardhshme, më 4 prill nis fushata zgjedhore për zgjedhjet e shtata presidenciale. Rrethi i parë mbahet më 24 prill.