Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka miratuar rezolutën që bën thirrje për “armëpushim të menjëhershëm” në Gaza. Katërmbëdhjetë vende mbështetën projekt-rezolutën e paraqitur nga anëtarët jo të përhershëm të vendit.
Ndryshe nga hera e kaluar, SHBA nuk ka vendosur veton por ka abstenuar.
Në rezolutën e re, sipas një versioni të parë nga AFP-ja, kërkohet “një armëpushim i menjëhershëm” gjatë muajit të Ramazanit që do të çonte në një armëpushim të qëndrueshëm dhe të përhershëm.
Rezoluta po ashtu kërkon lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të të gjitha pengjeve si dhe heqjen e pengesave që do të mundësonte dërgimin e ndihmave humanitare.
Rezoluta u hartua nga anëtarët jo të përhershëm të Këshillit, të cilët kanë negociuar gjatë fundjavës me SHBA-në për të shmangur vendosjen e vetos.
Pas miratimit të rezolutës ka reaguar edhe shefi i OKB-së, i cili tha se duhet të zbatohet mënjeherë.
“Kjo rezolutë duhet të zbatohet. Dështimi do të ishte i pafalshëm”, tha ai në një postim në X.