Së paku 145 njerëz u vranë, në sulmin e mbrëmshën në sallën e koncerteve në Krasnogorsk që ndodhet në periferi të Moskës ndërkohë që përgjegjësin e sulmit e mori grupi militant, Shteti Islamik.
Autoritetet shëndetësore ruse thanë se 145 persona të tjerë janë plagosur – prej tyre rreth 60 në gjendje kritike.
Drejtori i Shërbimit Federal të Sigurisë në Rusi, tha se 11 persona janë ndaluar lidhur me sulmin në Moskë, përfshirë katër sulmues të armatosur.
“Luftëtarët e Shtetit Islamik sulmuan një tubim të madh të të krishterëve në qytetin Krasnogorsk në periferi të kryeqytetit rus, Moskë, duke vrarë dhe plagosur qindar persona dhe duke shkaktuar dëme të mëdha në vend përpara se të tërhiqeshin në bazat e tyre të sigurta”, thuhet në njoftimin në telegram të grupit islamik.
Videot e shpërndara në rrjetet sociale treguan persona të armatosur duke hyrë në sallë dhe duke hapur zjarr, përpara fillimit të një koncerti nga grupi muzikor rus, Piknik.
Një dëshmitar i të shtënave masive e përshkroi ngjarjen si dramatike që shkaktoi panik të madh në sallën e koncerteve.
“Kishte breshëri të shtënash me armë zjarri. Kur pashë vijën e zjarrit, pashë që ata nuk gjuanin në tavan, apo në ajër, por qëllonin drejtpërdrejt në turmën e njerëzve që ishin në rreshtat e parë të sallës. Njerëzit filluan të vrapojnë dhe u përplasën me njëri-tjetrin, disa ranë dhe të tjerë i shkelën”, tha Dave Primov, dëshmitar.
Primov kujtoi se kishte parë tre burra duke qëlluar në turma të mëdha njerëzish pranë skenës në sallën e koncerteve, ndërsa ai dhe qindra spektatorë të tjerë po përpiqeshin të dilnin nga ndërtesa.
“Sikur të kishte kaluar edhe pak më gjatë, ne thjesht mund të ngecnim atje në zjar. Këta nuk ishin disa grupe të shpërndara njerëzish ose disa njerëz, por ishte vetëm një turmë njerëzish që po qëllonte”, u shpreh Dave Primov, dëshmitar.
Sulmi i mbrëmshëm në sallën e koncerteve në periferi të Moskës ishte më vdekjeprurësi në Rusi që nga rrethimi i shkollës në Beslan, në vitin 2004 ku në luftimet me militantët çenen u vranë 330 pengje, në mesin e tyre 186 fëmijë.