27 vendet e BE-së pajtohen që të thërrasin armëpushim në Gaza

Pas pesë muajsh luftime në Gaza dhe dhjetëra mijëra viktimave atje, 27 vendet e Bashkimit Evropian i kanë tejkaluar dallimet dhe janë pajtuar që të thërrasin një armëpushim në luftimet mes Izraelit e Hamasit.

Kryeministri i Belgjikës, Alexander De Croo ka thënë në ditën e dytë të samitit të liderëve të BE-së që po mbahet në Bruksel se “më në fund si shtete evropiane kemi një pozitë uniteti”.

“Ne nga ana jonë, kemi bërë kërkesë për këtë që muaj”, ka deklaruar De Croo.

Përmes një deklaratë gjatë natës të së enjtes, liderët evropianë kanë bërë thirrje “për një pauzë të menjëhershme humanitare e cila do të çonte në një armëpushim të qëndrueshëm”.

De Croo, shteti i të cilit aktualisht mban presidencën e BE-së, ka thënë se pozita e BE-së tani është në një linjë me atë të SHBA-së.

Kjo vjen ndërsa Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara përgatitet të votojë më vonë të premten mbi një rezolutë të sponsorizuar nga SHBA që deklaron “rëndësinë e një armëpushimi të menjëhershëm dhe të qëndrueshëm” në luftën Izrael-Hamas.

Vendet e BE-së kanë qenë prej kohësh të ndara për mbështetjen e tyre për Izraelin dhe palestinezët, dhe votimi i OKB-së do të jetë një provë e re publike e unitetit të tyre.

Në dhjetor, dy anëtarë të BE-së votuan kundër thirrjes për “një armëpushim të menjëhershëm humanitar”, ndërsa katër vende abstenuan.