Rritet numri i qytetarëve të papunë – Mbi 106 mijë persona të regjistruar nga Agjencia e Punësimit

Përderisa në treg ka rënë fuqia blerëse, edhe më shumë ka rënë fuqia punëtore. Për të tretin muaj radhazi po rritet numri i qytetarëve të papunë në vend, të regjistruar nga Agjencia e Punësimit, shkruan Alsat.

Ky institucion ka publikuar edhe shifrat për muajin shkurt, të cilat thonë se tashmë është muaji i tretë në të cilin trendi i rritjes së numrit të papunëve në vend nuk ndalet. Dhjetori i vitit të kaluar ishte muaji i parë në të cilin ky numër u rrit dhe në mënyrë të konsiderueshme me rreth tre mijë persona.

Një numër i madh i kompanive dhe punëdhënësve në vend i ka zënë paniku se kanë mungesë të punëtorëve, prandaj importi i fuqisë punëtore nga vende të treta, po përpiqet të zvogëloj hendekun e mungesave.

“Vendi e mbylli dhjetorin e vitit të kaluar me 105,452 persona të regjistruar si punëkërkues. Në janar të këtij viti kemi një rritje të re të atij numri, përkatësisht 105.803 të papunë, që do të thotë se janë 351 persona të rinj që presin në listën e Agjencisë për të gjetur punë. Në muajin shkurt vazhdoi trendi i rritjes së numrit të papunëve, duke u ngjitur në 106,618 persona, që do të thotë se tashmë në muajin e dytë të vitit kemi 815 të papunë të rinj. Në vetëm dy muaj, 1,166 të papunë të rinj, që iu shtuan atyre 2,708 në dhjetor, tashmë një shifër prej 3,874 personash në tre muaj”, thonë nga Agjencia e Punësimit.

Përderisa Agjencia e Punësimit akoma nuk ka publikuar shifrat për muajin mars, i cili përkon me qasje të lirë në tregun e punës në “Ballkanin e Hapur”, nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore thonë se Maqedonia e Veriut është në disfavor krahas fuqisë ekonomike të Serbisë dhe Shqipërisë.

Durim Zeqiri nga kjo Odë tha se aktualisht tregu i brendshëm ka nevojë për rreth 30 mijë punëtorë të kualifikuar dhe nuk mundet të plotësohet as 30% i kërkuesve aktiv të papunë në vend.

“Ai kuadër i prodhuar gjatë këtyre viteve nuk është më i nevojshëm për kërkesat reale të tregut. Ata që kërkojnë punë nuk i plotësojnë kërkesat në vendin tonë. Të dhënat zyrtare tregojnë që kemi fluks të lartë të kuadrove ekonomik, juridik dhe administrativ, ndërkaq në profesionet deficitare kemi ngecje dhe kjo pa përputhshmëri thellon hendekun. Është paradoksale të kemi 4 mijë kërkues të ri për punë në tre muaj, ndërsa sektori provat vazhdon të ketë mungesë të fuqisë punëtore”, tha Durim Zeqiri, Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore.

Kjo masë e filluar më 5 mars, lehtëson marrjen e lejeve të punës dhe qëndrimit, që qytetarët e Serbisë, Maqedonisë dhe Shqipërisë nuk duhet të humbasin më kohë duke shkuar në institucione, si MPB dhe Zyra të punësimeve, por i gjithë procesi zhvillohet në mënyrë elektronike dhe në fund merret një konfirmim mbi bazën e të cilit mund të kërkohet një vend pune.

Sipas të dhënave të Maqedonisë së Veriut, mbi 2000 certifikata janë lëshuar në të gjitha vendet, për kërkim pune në shtetet fqinje./ Alsat.mk