Maqedonia e Veriut nuk po arrin të kalojë pragun vjetor të investimeve të huaja prej 1 miliard eurove, pavarësisht paralajmërimeve se anëtarësimi në NATO përkthehet me më shumë investime të huaja.
Maqedonia e Veriut është anëtarësuar në NATO më 2020.
Në bazë të të dhënave të Bankës Popullore në këtë shtet, Maqedonia e Veriut i ka pranuar 616.7 milionë euro në formë të investimeve të huaja, më 2023.
Kjo shifër është e përafërt me investimet e huaja në Kosovë, Malin e Zi dhe Bosnje – Hercegovinë.
Serbia, e cila nuk është anëtare e NATO-s, gjatë vitit 2023 ka arritur të tërheqë 4 miliardë euro e gjysmë euro në formë të investimeve të huaja.
Në mesin e vendeve fqinje, që janë pjesë e Bashkimit Evropian ose NATO-s, që tejkalojnë pragun e 1 miliard eurove në vit janë: Kroacia, Sllovenia, Shqipëria dhe Bullgaria.
Së fundi, edhe investitorët ekzistues në Maqedoninë e Veriut janë deklaruar se nuk janë të gatshëm të riinvestojnë.
Kryetari i Këshillit për Investime të Huaja, Viktor Mizo, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se në Maqedoni të Veriut po mungon një strategji gjithëpërfshirëse shtetërore për tërheqjen e investitorëve të rinj të huaj, por edhe për mbajtjen edhe të atyre që tashmë kanë investuar në vend.
Këshilli për Investime të Huaja përbëhet nga 130 kompani prej 20 vendeve të huaja.
Kompanitë që kanë investuar tashmë janë të industrisë automobilistike, bujqësisë, energjetikës, asaj për prodhim të ushqimit, telekomunikacionit, shërbimeve të teknologjisë informative, e tjera.
“Është e qartë se ka mungesë fokusi në këtë fushë. Mungon një strategji e qartë se në cilin drejtim duam të ecim si shtet. Kjo pasqyrohet edhe në rezultatet e anketës së fundit të Këshillit të Investitorëve të Huaj, ku vetëm 43 për qind e kompanive tashmë të pranishme në vendin tonë, janë shprehur se rishtas do të investonin në vend, nëse për këtë gjë do të duhej të vendosnin tani”, ka thënë Mizo në disa përgjigje për Radion Evropa e Lirë.
Sipas tij, politikat e papërshtatshme dhe indiferente të institucioneve shtetërore për investitorët e huaj, kanë bërë që kompania KOSTAL – Maqedoni, t’i ridestinojë mjetet në një vend tjetër dhe të mos i investojë në zonat ekonomike të Maqedonisë së Veriut.
Zyrtarët qeveritarë, në anën tjetër, i cilësojnë si të suksesshme politikat për tërheqje të kapitalit të huaj.
Drejtori i Zonave Zhvillimore Industriale Teknologjike, Jovan Despotovski, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se drejtoria që përfaqëson kompanitë e huaja, ka nënshkruar kontrata për investim në vlerë prej 450 milionë eurove, më 2023.
“Investimet e huaja për vitin 2021, 2022 dhe 2023 janë rreth 1.8 deri në 2 miliardë euro”, ka thënë Despotovski.
Sipas tij, investitorët ankohen vetëm për rregullativën ligjore.
“Vërejtjet e kompanive që operojnë në zonat ekonomike kanë të bëjnë me ndryshimet e shpeshta ligjore, dhe që jetësimi i tyre nuk është i qëndrueshëm”, ka thënë ai.
Masat e shtetit për kompanitë e huaja
Për t’i stimuluar investitorët e huaj që t’i drejtojnë sytë kah Maqedonia e Veriut, zyrtarë të Drejtorisë së Zonave Zhvillimore Teknologjike Industriale, kanë bërë të ditur se kompanitë e huaja do të fitojnë mbështetje nga ana e shtetit përmes grantit për krijim të vendeve të reja të punës në vlerë prej 3.250 eurosh për çdo vend pune.
Megjithatë, sipas tyre, ky grant është i kushtëzuar me sigurimin e pagave 50 për qind më të mëdha sesa mesatarja shtetërore.
“Kjo do të thotë se kompania do të marrë mjete nga shteti për çdo pagë neto, e cila do të jetë më e lartë se 1.000 euro. Kjo është një nga mënyrat se si do të nxisim përforcim të rritjes së pagave”, ka theksuar në fillim të këtij muaji Despotovski.
Investimet e paralajmëruara nuk u realizuan
Gjatë kësaj jave, Drejtoria për Zona Zhvillimore Teknologjike Industriale, si përfaqësuese e Qeverisë, e ka ndërprerë marrëveshjen me kompaninë gjermane NEXT.E.GO MOBILE SE, për ndërtimin e fabrikës së veturave elektrike në Tetovë.
Paraprakisht, ky projekt është paralajmëruar me shumë bujë nga zyrtarët shtetërorë, të cilët patën përmendur hapjen e 3-4.000 vendeve të reja të punës.
Në fillim të këtij viti është ndërprerë edhe marrëveshja me kompaninë greke Arhirodon, për ndërtimin e hidrocentralit Cebren, pasi është thënë se kompania nuk ka arritur t’i sigurojë mjetet për realizim të projektit.
Më 2021, në kohën kur Zoran Zaev ishte kryeministër i shtetit, ai pati thënë se gjigantët e teknologjisë, Google dhe Facebook, do të shtrijnë kapitalin e tyre në Maqedoninë e Veriut.
Ato kanë mbetur vetëm premtime.
Si investime kapitale ishte paralajmëruar dhe ndërtimi i studiove të filmit në Shkup, të aktorit John Malkovich, si dhe rivitalizmi i kompleksit të liqenit Tresca, po në Shkup, përmes investitorëve turq.
Edhe këto kanë mbetur vetëm premtime.
Njëjtë, premtim ka mbetur edhe paralajmërimi i vitit 2021, për një investim në vlerë të 30 milionë eurosh nga kompania jugkoreane “Almak” dhe kompania amerikane “Dura Automotive Systems” për ndërtimin e një objekti për prodhimin e profileve të lehta për industrinë e automobilave ku duhej të punësoheshin 70 punëtorë me paga rreth 2.000 euro.
Çka i bën investitorët e huaj të tërhiqen?
Ekspertët e ekonomisë thonë se korrupsioni dhe mungesa e punëtorëve bëjnë që të Maqedonia e Veriut të mos jetë vend atraktiv për investitorët e huaj.
“Njëri nga faktorët kryesorë që tani, dhe në të ardhmen, do të jetë shkak për mosgatishmërinë e investitorëve të huaj për të investuar në Maqedoninë e Veriut, në radhë të parë është fuqia gjithnjë e më e pakët e fuqisë punëtore në vend, e cila duhet t’iu përgjigjet kërkesave të investitorëve” ka thënë Arben Halili, ligjërues në Fakultetin e Ekonomisë në Universitetin e Tetovës.
Në raportin e organizatës ndërkombëtare, Transparency International, sa i përket Indeksit për Përceptim të Korrupsionit, për vitin 2023, Maqedonia e Veriut është renditur në listën e vendeve ku drejtësia e dobët mundëson lulëzim të korrupsionit.
Ky vend ka shënuar përparim të lehtë, me 42 pikë – dy më shumë se vitin e kaluar – por që, sipas raportit, progresi ka shënuar kthim mbrapa, pas ndryshimeve që janë bërë në Kodin Penal.
Indeksi radhit çdo vit 180 shtete dhe territore të botës në bazë të nivelit të perceptuar të korrupsionit në sektorin publik. Ai përdor një metodologji pikësh, sipas së cilës zero tregon për një vend shumë të korruptuar, ndërsa 100 për një vend të pastër nga kjo dukuri.
Ndërkohë, pushteti dhe opozita i interpretojnë ndryshe rezultatet sa u përket investimeve të huaja në Maqedoninë e Veriut.
“Nëse i shikojmë të dhënat ndër vite, për periudhën 2006-2016, gjithsej investimet e huaja direkte arritën në 3.024.25 milionë euro, ose mesatarisht 274.93 milionë euro në vit. Ndërsa, në periudhën kohore 2017-2023, gjithsej shtatë vjet kalendarikë, fluksi i përgjithshëm i investimeve të huaja direkte (IHD) në Maqedoninë e Veriut arriti në 3.237,03 milionë euro, ose mesatarisht rreth 462.43 milionë euro për secilin nga shtatë vjetët”, ka theksuar zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Fatmir Bytyqi.
Por, për opozitën maqedonase, VMRO-DPMNE-së, trendin e rënies së investimeve e tregon fakti se Maqedonia e Veriut, në bazë të të dhënave të Bankës Botërore, radhitet në mesin e vendeve me më pak investime të huaja.
“Rezultatet në fushën e investimeve të huaja direkte janë katastrofale në krahasim me vendet e Ballkanit Perëndimor. Së bashku me Bosnje-Hercegovinën, Maqedonia [e Veriut] është në fund të tabelës, për sa u përket investimeve të huaja në tre vjetët e fundit”, kanë thënë zyrtarë të kësaj partie opozitare.
Në Maqedoni të Veriut, qysh prej vitit 2006 është investuar në promovimin e vendit si shtet me mundësi të mëdha investimi, duke bërë edhe ndryshime ligjore që përfshinin lehtësime si shmangja e taksave, subvencionet për kompanitë importuese, subvencionet për pagesën e kontributeve për sigurimin e të punësuarve, grante për infrastrukturë, tokë ndërtimore të subvencionuar e tjera.
Me këtë rast ishte hapur edhe Agjencia për Investime të Huaja, Drejtoria për Zona Teknologjiko-Industriale, të cilat kanë për detyrë promovimin e Maqedonisë së Veriut si shtet të volitshëm për investime të huaja, përmes fushatave të ndryshme dhe mbështetjes administrative për investitorët potencialë./REL