Brenda një muaji jo të plotë, do të takohemi sërish me Rabotniçkin, ndaj së cilës skuadër në 14 ndeshjet e deritanishme, kemi pësuar vetëm një disfatë. E njëjta daton që nga viti 2020, ndërsa vlen të theksohet se me Sava Radiç në formacion, nuk njohim disfatë përballë “romantikëve”….
Sava Radiç ka folur në prag të takimit me Rabotniçkin, skuadrës së tij të preferuar. I njëjti gjatë karrierës së tij nuk njeh disfatë përballë “romantikëve”, edhe atë që nga koha kur luante me AP Brera.
Një traditë të tillë, i njëjti shpreson ta vazhdojë edhe pas ndeshjes së nesërme, që do ta zhvillojmë në arenën “Todor Proeski”.
“Kemi luajtur kundër Rabotniçkit para një muaji. E dimë se për çfarë skuadre bëhet fjalë. Kuptohet që është shumë më mirë këtë herë, pasi luajmë në stadiumin ‘Todor Proeski’, që ofron kushte të shkëlqyeshme për lojë. Sa na përket neve, si Struga Trim Lum, luajmë ndeshje për ndeshje, secila ndeshje për ne është shumë e rëndësishme, dhe kuptohet që dëshirojmë të mbrojmë titullin. Me rëndësi është që të jemi të koncentruar, të fokusuar, dhe çfarë është më me rëndësi, ti plotësojmë kërkesat e trajnerit. Nëse bëjmë një gjë të tillë, atëherë besoj se pa probleme do të arrijmë deri te 3 pikët e plota dhe me kokë të qetë të shkojmë në pushim” – u shpreh mbrojtësi ynë Sava Radiç, i cili në ndeshjet kundër Rabotniçkit nuk njeh disfatë.
Ndeshja e nesërme për Sava Radiç do të jetë e 9-ta, ku deri më tani ka regjistruar 6 fitore dhe 2 barazime, 4 fitore prej të cilëve me fanellën e Struga Trim Lum.
Ndeshja midis Rabotniçkit dhe Struga Trim Lum luhet nesër në stadiumin “Todor Proeski” me fillim në ora 15:00.