BDI: Përshëndesim mbështetjen e Escobarit për hapjen e negociatave të Maqedonisë me BE-në

Bashkimi Demokratik për Integrim e përshëndet deklaratën të dërguarit të posaçëm të SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, konkretisht porosinë që, Maqedonia e Veriut të jetë kandidate e plotfuqishme dhe menjëherë të bëhet anëtare e Bashkimit Europian, thuhet në kumtesën e sotme të BDI-së. “Bashkimi Demokratik për Integrim vlerëson se partneriteti i fuqishëm dhe aleanca multilaterale e Maqedonisë me NATO-n dhe OSBE-në, është meritë e politikave proevropiane të Qeverisë aktuale, gjë që është theksuar edhe në vlerësimet e partnerit strategjik të Maqedonisë – Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Prandaj, fushata “PO Evropës, JO Rusisë” ngërthen në vete ndryshimet që shteti i ka realizuar në drejtim të integrimeve, ndërsa e njëjta politikë do të vazhdojë edhe pas zgjedhjeve të 8 majit, kur qytetarët me votë do të dënojnë fuqishëm implikimet ruse, të cilët tashmë janë pjesë e opozitës si shqiptare, ashtu edhe asaj maqedonase”, thonë nga BDI.

Gjithashtu, shtojnë nga atje, është pikërisht kryediplomati Bujar Osmani i cili si kryesues me OSBE-në, e shndërroi Shkupin në kryeqendër botërore të zhvillimeve politike.

I dërguari special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dje theksoi se Maqedonia e Veriut duhet të jetë kandidate me të drejta të plota dhe menjëherë të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian.