Xhaferi – Shljivançanin: Integrimi i RMV-së dhe Malit të Zi në BE është i rëndësishëm për rajonin dhe Evropën

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, u takua me Velimir Shljivançanin, ushtruesin e përkohshëm të punëve në Ambasadën e Malit të Zi në Shkup.

Në takim u theksua miqësia e madhe dhe tradicionale mes qytetarëve të dy vendeve dhe marrëdhëniet dypalëshe, të cilat janë pa çështje të hapura, dhe bazohen në bashkëpunim afatgjatë dhe konstruktiv që është vazhdimisht në vijën përpjetë.

Në këtë drejtim, bashkëbiseduesit konkluduan bashkërisht se Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi janë shembull se si ndërtohen dhe zhvillohen marrëdhënie të mira fqinjësore.

Veçanërisht u theksua edhe rëndësia e të qenit aleatë në NATO e të dy shteteve, që në kontekstin aktual gjeopolitik është e një rëndësie të veçantë për gjithë rajonin dhe për Evropën. Gjithashtu u këmbyen edhe përvoja nga përfitimet e shteteve me anëtarësimin në NATO, si dhe rreth proceseve reformuese që janë të domosdoshme për procesin e integrimit evropian.

Kryeministri Xhaferi theksoi se, Republika e Maqedonisë së Veriut është një demokraci e suksesshme multietnike, model për Evropën në miniaturë. Dhe, shprehu pritjen se së shpejti edhe pjesëtarët e komunitetit malazez në Maqedoninë e Veriut do të përfshihen në Kushtetutë, me çka shteti do e hapë edhe klasterin e parë në procesin e negocimit me BE-në.

Në takim biseduan edhe për mundësitë për avancimin e bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimit tregtar, si edhe mbajtja e mbledhjes së përbashkët ndërqeveritare të të dyja vendeve, menjëherë pas zgjedhjeve në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Shljivançanin uroi për zgjedhjen e Xhaferit për Kryetar të Qeverisë dhe falënderoi për përkushtimin e Qeverisë në vazhdimin e procesit të ndryshimeve kushtetuese, me të cilat edhe komuniteti malazez do të bëhet pjesë përbërëse e Kushtetutës. Me ç ‘rast, theksoi se kjo është me rëndësi jo vetëm për Malin e Zi dhe për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy vendeve, por edhe për ç ‘bllokimin e rrugës së Maqedonisë së Veriut në BE.