Me shumë bujë, por pa debat të gjithë deputet në seancë plenare miratuan ligjin, i cili pritet të kufizoj marzhën e fitimit të tregtarëve dhe të stabilizojë çmimet me pakicë të produkteve ushqimore në vend.
“Gjithsej votuan 82 deputetë të pranishëm, të gjithë 82 deputetët votuan pro, nuk ka asnjë kundër dhe nuk ka as të përmbajtur. Konstatoj që Kuvendi e miratoi Ligjin për ndalimin e praktikave të padrejta tregtare në zinxhirin e furnizimit të produkteve ushqimore dhe atyre bujqësore”, deklaroi Jovan Mitrevski, Kryetar i Kuvendit.
Ligji i shumë përfolur u miratua, por çfarë do të thotë kjo në praktikë!A do të mbeten qytetarët në mëshirë të tregtarëve edhe për 6 muajt e ardhshëm derisa periudha ligjore ia mundëson organit zbatues që në këtë rast është Komisioni për Mbrojtjen e konkurrencës, të harmonizoj dispozitat ligjore për vete.
Zëvendëskryeministri ekonomik, Fatmir Bytyqi, i vlerëson pozitive vendimet e disa kompanive për të lënë çmimet e ngrira të disa produkteve deri më 15 maj. Pritjet e tij janë që tashmë është krijuar rendi me çmimet dhe Ligji për ndalimin e praktikave të padrejta tregtare, të kontribuojë në zgjidhjen sistematike.
“Unë vlerësoj se rendi tashmë është krijuar. Reagimet e tregtarëve javën e kaluar ishin vërtet pozitive dhe inkurajuese. Kishte kompani që dolën vetë dhe thanë se për shkak se duan të jenë të përgjegjshëm shoqërorë do të mbajnë të njëjtat çmime të ngrira deri më 15 maj. Këto janë pak kompani, por është një inkurajim që pavarësisht gjithçkaje që ka ndodhur në periudhën e kaluar, kur nuk ka pasur ndërprerje të zinxhirit të furnizimit, tregtarët dinë të jenë të përgjegjshëm dhe të mos bëjnë presion tek konsumatorët final”, tha Fatmir Bytyqi, Zëvendëskryeministër për çështjet ekonomike.
Se ka një marrëveshje të pashkruar ndërmjet politikës dhe biznesit, kjo tregon që deri pas përfundimit të dy cikleve zgjedhore nuk do të lëvizin çmimet e produkteve ushqimore. Partive në pushtet nuk ju leverdis të ketë shtrenjtime të reja, pas masave që vet i sollën, kurse partitë opozitare pretendojnë të kundërtën. Në këtë vakum kohor më vigjilentët shquhen nga Inspektorati Shtetëror i Tregut, i cili bën kontrolle të vazhdueshme. Deri më tani ka kryer 6500 inspektime, me 208 gjobë-vënie në shumën e 34 milion denarëve.
“Vazhdojmë me kapacitet të plotë të bëjmë kontrolle në gjithë territorin e vendit. Janë konstatuar shkelje dhe janë mbyllur dy markete në Manastir dhe Shkup. Nuk do të ketë asnjë tolerancë ndaj asnjërit, i cili tenton në çfarëdolloj mënyre të manipuloj me konsumatorët dhe qytetarët. Janë shqiptuar dhe gjoba, meqë bëhet fjalë për subjektet e mëdha shumat janë nga 7-10 mijë euro dhe mbylljen e tyre për 15 ditë”, tha Goran Trajkovski, Drejtor i Inspektoratit të Tregut.
Me miratimin e ligjit pritet të hiqen të gjitha praktikat e padrejta ndërmjet tregtarëve dhe furnitorëve, të cilët janë aktivë në zinxhirin e furnizimit bujqësor dhe ushqimor në faza të prodhimit, përpunimit, tregtimit, shpërndarjes dhe shitjes me pakicë të produkteve bujqësore dhe ushqimore në vend. Sipas ligjit të ri, Komisionit për mbrojtjen e konkurrencës, është i detyruar të harmonizojë të gjitha aktet e tij me përcaktimet e këtij propozimi dhe të sigurojë burimet e nevojshme të personelit teknik, teknologjik dhe të kualifikuar për kontrollin e duhur dhe të qetë të dispozitave në projektligj, brenda gjashtë muajve nga datën e hyrjes së tij në fuqi. Qëllimi i ligjit është rregullimi i procedurës për paraqitjen e provave dhe procedurës së kundërvajtjes, përcaktimi i lartësisë së gjobës për kundërvajtje të kryer dhe vendimet që merr Komisioni për vendosjen e kundërvajtjes. /Alsat.mk