
Një avion ushtarak transportues i Rusisë është rrëzuar të martën derisa po ngrihej nga një bazë ajrore në perëndim të Rusisë, njoftoi Ministria e Mbrojtjes e Rusisë.
Ministria tha se 15 persona ishin në bordin e avionit. Sipas saj, tetë prej tyre ishin pjesë e ekuipazhit, ndërsa shtatë të tjerë udhëtarë.
Ministria nuk tregoi nëse kishte apo jo të mbijetuar.
Zjarri në motor gjatë ngritjes ka mundur ta shkaktojë rrëzimin e avionit, sipas Ministrisë.
Avioni katërmotorësh, Il-76, është avion transportues që është përdorur prej viteve ’70 nga forcat ajrore sovjetike dhe pastaj nga ato ruse.
Rrëzimi i avionit ndodhi në një ditë kur Ministria e Mbrojtjes e Rusisë raportoi se Ukraina e sulmoi me dronë dhe raketa.
Në të kaluarën, dronët ukrainas i kanë goditur disa baza ajrore ushtarake thellë brenda Rusisë.