Zguro flet në prag të takimit me AP Brera

Mbrojtësi ynë i krahut të majtë, beson në skuadrën që kemi, e mbi të gjitha në harmoninë që po mbizotëron këtyre ditëve, pas asaj fitore ndaj Makedonija GJ.P, që na mundësoi që sezonin e rregullt ta mbyllim në pozitën e parë, aty ku shpresojmë të përfundojmë edhe në fund të sezonit…

Vangjel Zguro ka folur në prag të takimit të javës së 23-të kundër AP Brera, ndeshje kjo që në program është të dielën në Strugë. Do të jetë kjo finalja e parë, nga gjithsej 11-të që do të zhvillohen në kuadër të raundit të tretë, ku nuk kemi luksin për të bërë hap fals. 

Mbrojtësi ynë i krahut të majtë, beson në skuadrën që kemi, e mbi të gjitha në harmoninë që po mbizotëron këtyre ditëve, pasi pjesën e rregullt të sezonit e mbyllëm në pozitën e parë. Pikërisht, aty është edhe synimi për të mbetur deri në fund, ndërsa e gjithë kjo kërkon punë dhe sakrificë, por edhe rezultate pozitive.

“Mezi e presim të dielën dhe të tregojmë çdo gjë në fushën e blertë. Të dëshmojmë se jemi më të mirë dhe se me 3 pikët e fituara nga kjo ndeshje do të marshojmë drejt titullit kampion. Mos të harrojmë, jemi neve kampionët në fuqi, ndërsa edhe aktualisht jemi në pozitën e parë, ku kemi qenë në pjesën më të madhe të sezonit, ndërsa shpresojmë të jemi aty edhe në fund të sezonit” – shprehet Vangjel Zguro, i cili përparësinë në këtë takim e sheh tek fusha vendase, por edhe morali dhe vetëbesimi i futbollistëve që është në nivelin më të lartë.

“Luajmë brenda fushës tonë, ndërsa mbi të gjitha vijmë mbas një fitore që na jep shumë moral dhe vetëbesim për të marrë edhe 3 pikë të tjera. Besoj se kemi forcën dhe kualitetin e duhur për të bërë një gjë të tillë, për më tepër që AP Brera është skuadra e vetme ndaj së cilës nuk kemi fituar këtë edicion. Pikërisht kjo do të duhet të na motivojë edhe më shumë për të dielën” – përfundoi Zguro, i cili këtë edicion ka regjistruar edhe 3 gola dhe 3 asistime, një ndër ta, pikërisht në ndeshjen e fundit kundër Makedonija GJ.P, kur mjaft mirë shërbeu në zonën kundërshtare, Marjan Radeskin.