Kosova edhe sot vazhdon me shënimin e 26 vjetorit të Epopesë së UÇK-së. Në kuadër të aktiviteteve shtetërore, krerët e shtetit kanë bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se Epopeja e UÇK-së është epope e krenarisë së popullit të Kosovës, epope që ka rikthyer dinjitetin e shtetit dhe epope që simbolizon lirinë.
“Familja Jashari do të mbetet përjetë udhërrëfyes për brezat e tanishëm dhe brezat që do të vijnë pas nesh. Siç e shihni jo vetëm përgjatë epopesë, por edhe periudha të ndryshme të vitit, kemi fëmijë nga shkolla anembanë Kosovës që vinë këtu për të mësuar për historinë e Kosovës, por mbi të gjitha për t’u frymëzuar me shembullin e familjes Jashari, me trimërinë e guximin e tyre. Lavdi përjetë komandantit Adem Jashari e gjithë anëtarëve të familjes Jashari, e gjithë të rënëve e dëshmorëve të tjerë të UÇK-së”, tha Vjosa Osmani.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, dekaroi se sakrifica e Jasharëve dhe lufta e UÇK-së përbëjnë ndër ngjarjet më të rëndësishme për vetëdijen kombëtare.
“Nuk është e rastësishme që gjithë qytetarët shqiptarë kudo që jetojnë nëpër botë, vinë e përkulen para varreve të bacës Shaban, Ademit, Hamzës dhe gjithë familjarëve që u flijuan për lirinë e fëmijëve tanë. Për sa kohë të ketë popull shqiptar, për sa kohë të ekzistojë kombi ynë, ky gjithmonë do të jetë një vend ku jo vetëm përkulemi, por edhe gjejmë frymëzim vazhdimisht e patriotizëm se si mbrohet vendi. Lavdi”, tha Glauk Konjufca.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se “Prekazi heroik e historik, kujton çmimin e rrënjët e lirisë që gëzon populli i Kosovës”.
“Të gjithë duhet të vinë në këtë vend që të mos harrojmë e të mos devijojmë. Të mos harrojmë të kaluarën e të mos devijojmë drejt të ardhmes”, ka thënë Kurti. “Me përkulje respekti e ndjenjë admirimi gjithnjë e përgjithmonë u jemi falënderues e mirënjohës Jasharëve. Lavdi kryekomandantit Adem Jashari, familjes Jashari, UÇK-së e të gjithë dëshmorëve e martirëve të kombit”, tha Albin Kurti.
Me rastin e Epopesë së UÇK-së, dje më 5 mars, Kuvendi i Kosovës organizoi seancë solemne në nder të rënies së komandantit legjendar Adem Jashari dhe familjes Jashari, por edhe për të gjithë të rënët për liri./tvklan.mk