Anketa e fundit e IPIS-it që u prezantua mbrëmë në emisionin “Objektiv” në RTVM, ka hulumtuar disponimin e qytetarëve në Njësitë Zgjedhore numër 2 dhe 6.
Në Njësinë e 6-të Zgjedhore, sipas anketës së IPIS-it të zbatuar në shkurt 2024, besim më të madh ka BDI-ja me 17.5%. Pasojnë VLEN-i me 15.4%, VMRO-DPMNE – 8.5%, ASH-ja – 7.2% dhe LSDM-ja me 4%. Në listë janë edhe ”Levica” dhe Lëvizja “Znam” me nga 1%.
Për këtë njësi zgjedhore, 16.6% e të anketuarve janë përgjigjur së nuk I besojnë asnjërës parti, 22.9% nuk kanë bërë publike përcaktimin partiak dhe 5.4% ende nuk kanë një përgjigje.
Në njësinë e dytë zgjedhore, sipas anketës së IPIS-it, VMRO-DPMNE ka epërsi të dyfishtë ndaj LSDM-së.
Sipas anketës të zbatuar në shkurt 2024, VMRO-DPMNE-ja ka mbështetjen e 19.5% të qytetarëve, 10.5% për LSDM-në, BDI-ja me 6.9%, VLEN – 4.8%, Lëvizja ZNAM me 5%, “Levica” me 4%, dhe ASH-ja me 2%.
13.9% e qytetarëve janë prononcuar se nuk do të votonin për asnjë parti, 21% prej tyre nuk e kanë bërë publike përcaktimin partiak, kurse 12% e të anketuarve nuk kanë përgjigje.
Në emisionin “Ora e Parë” në Klan Maqedoni, Vldimir Bozhinovski nga IPIS, bëri të ditur se kjo anketë do të jetë e fundit për këto zgjedhje.
“IPIS-i të gjitha hulumtimet që I zbaton për këto zgjedhje, publikohen në servisin publik në RTVM dhe anketa tjera nuk do të ketë deri në zgjedhje. Kur publikojmë anketa ata dërgohen tek të gjitha mediat me komunikatë zyrtare nga IPIS”, tha Vladimir Bozhinovski.
Këto komente Bozhinovski i bëri pasi rezultoi të jetë e rreme një anketë që i referohej IPIS-it e që nxjerrte fituese opozitën e bashkuar shqiptare. Ai tha se mediat online që kishin publikuar anketën e rreme, me korrektësi kanë hequr lajmin dhe kanë publikuar përgënjeshtrimin e IPIS-it.