Dhoma e Tregtisë Serbe (PKS) tha të premten se marrëveshja për tregun e përbashkët të Ballkanit të Hapur hyn në fuqi sot.
Siç raporton media e pavarur serbe N1, tregu i përbashkët midis Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë fillon sot, që do të thotë se qytetarët e tyre mund të gjejnë punë në cilindo nga këto tre vende, transmeton Klankosova.tv.
Nisma e Ballkanit të Hapur u nis nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe tashmë ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.
Sipas PKS, rreth 11 milionë njerëz do të kenë akses të lirë në tregun e punës në këto tre vende të Ballkanit Perëndimor.
Njoftimi për shtyp shtoi se “kjo do të ndihmojë në frenimin e ikjes së trurit dhe lehtësimin e mungesës së stafit cilësor për kompanitë vendase dhe ndërkombëtare”.