Nga sot rritje e re e rrogave të funksionarëve në Maqedoni, rrogat deri 2700 euro në muaj

Funksionarët e lartë në Maqedoninë e Veriut prej sot do të kenë rritje të re të rrogave.

Me ligjin që deputetët e miratuan dje në Kuvend, nga sot rroga mujore e tyre u rrit për 1.213 denarë dhe tani secilit deputet i paguajmë pagën bazë prej 121.593 denarë, apo mbi 2 mijë euro.

Nëse ai është në një nga komisionet parlamentare, dhe nuk ka deputet që nuk është, atëherë paga e tij do të shkojë në, të themi, 129.000 denarë mbi 2100 euro.

Kryeministrit Talat Xhaferi do t’i paguhen 157.000 denarë neto apo mbi 2500 euro në muajin mars. Por kjo është vetëm paga bazë. Nëse ai ka, për shembull, 15 vjet përvojë të mëparshme, do t’i paguajmë pak më pak se 12.000 denarë, që do të thotë se paga e tij do të shkojë në rreth 170.000 denarë ose mbi 2.700 euro.

Dje deputetët miratuan ligjin me të cilin u ulën koeficientët e pagave sepse në të kundërt paga e kryeministrit dhe presidentit do të arrinte 3500 euro në muaj. Me ndryshimet e djeshme zyrtarët kanë marrë “vetëm” rritje prej 2000 denarë në pagat më të larta dhe rreth 1000 denarë në pagat më të ulëta.(INA)