Xhaferi në takim me Zelenskyn, nënshkruan Deklaratën e përbashkët për integrim euroatlantik të Ukrainës

Kryeministri teknik i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, në kuadër të vizitës së punës në Republikën e Shqipërisë, u takua me Presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky. Në takim ishin të pranishëm edhe ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani dhe zëvendësministri i Financave, Filip Nikoloski.

Siç njoftojnë nga Qeveria, Xhaferi e theksoi mbështetjen e Qeverisë dhe vendosmërinë dhe përcaktimin e fuqishëm për integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht.

“Xhaferi theksoi se në bazë bilaterale, por edhe në kuadër të NATO-s, harmonizimi i plotë me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së, si edhe me bashkëngjitjen ndaj Deklaratës së vendeve të G7-tës për garancitë e sigurisë për Ukrainën, Maqedonia e Veriut që nga fillimi i agresionit ushtarak rus, manifeston vazhdimësi në pozicionin e saj dhe do të vazhdojë për aq kohë sa të jetë e nevojshme”.

“Kryeministri Xhaferi theksoi se ndjen një përgjegjësi dhe obligim të veçantë, personale, pas pranimit të Urdhrit të Princit “Jarosllav i Urti” nga Kryetari i Verhovna Radë-s së Ukrainës, Ruslan Stefançuk në vitin 2022, të vazhdojë të japë në mënyrë aktive një kontribut personal në forcimin e bashkëpunimit ndërshtetëror dhe mbështetjen e sovranitetit shtetëror dhe integritetit territorial të Ukrainës”.

“Presidenti Zelensky shprehu mirënjohje të thellë për Qeverinë dhe qytetarët e Maqedonisë së Veriut për mbështetjen e fuqishme dhe të gjithanshme, në radhë të parë politike dhe ushtarake të vendit, si dhe për pritjen e refugjatëve ukrainas. Ai potencoi se Ukraina posaçërisht e vlerëson atë që Maqedonia e Veriut iu bashkua Deklaratës së Buçës për të kërkuar përgjegjësi për krimet më të rënda të luftës të kryera në territorin e Ukrainës”, thuhet në njoftim.

Kryeministri Xhaferi dhe Presidenti Zelensky pas takimit nënshkruan “Deklaratën e Përbashkët të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Ukrainës për integrimin euroatlantik të Ukrainës”.

Në Deklaratë dënohen së bashku krimet e forcave të armatosura të Federatës Ruse kundër popullsisë civile dhe infrastrukturës civile të Ukrainës, duke përfshirë objektet energjetike, shkollat, spitalet dhe ndërtesat e banimit, të cilat janë të mbrojtura nga e drejta ndërkombëtare humanitare.

Theksohet nevoja për tërheqje urgjente dhe të plotë të të gjitha trupave dhe formacioneve të armatosura të Federatës Ruse nga territori sovran i Ukrainës, brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht që nga viti 1991. Dhe theksohet rëndësia e hetimit të krimeve të luftës në territorin e Ukrainës, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.

Në lidhje me perspektivat euroatlantike, në Deklaratë theksohet kontributi i rëndësishëm i Ukrainës në sigurinë e zonës euroatlantike, veçanërisht përpjekjet e Ukrainës për të penguar agresionin ushtarak të paprovokuar dhe të pajustifikuar të Federatës Ruse. Në këtë drejtim, posaçërisht është theksuar qëndrimi i përbashkët për nevojën e forcimit plotësues të kapacitetit të konsoliduar të komunitetit euroatlantik, me qëllim të kundërshtimit efikas ndaj sfidave ekzistuese dhe sfidave potenciale globale dhe kërcënimeve të sigurisë.