Të enjten skadon masa – Kujdes, çdo rritje e çmimeve nga 1 marsi do të gjobitet nga Inspektorati i Tregut dhe ai i Punës

Çdo rritje  çmimeve nga 1 marsi do të gjobitet nga Inspektorati i Tregut dhe ai i punës, njoftojnë autoritetet, pasi që të enjten do të skadojë masa e çmimeve të garantuara, shkruan Alsat.

Vakumi që do të krijohet për shkak të mosvazhdimit të masave deri në miratimin e Ligjit për ndalimin e praktikave jo korrekte tregtare mund të shkaktoj një turbulencë çmimesh në tregun e lirë, por kjo mbetet në mëshirën e tregtarëve, pasi Komisioni për mbrojte të konkurrencës nuk ka reaguar as herën e kaluar.

“Unë jam konsistent. Çdo sjellje jo etike nga çdo tregtar do të ndëshkohet në mënyrën më të rëndë. Ne e dimë se çfarë do të thotë kjo nga e kaluara. Besojmë se më në fund është nxjerrë mësimi, se në shtet, përveç të bërit biznes dhe të fitosh, duhet të ketë moral dhe etikë edhe në kompani. Unë besoj se ngrirja e çmimit nuk është një nga masat që i përgjigjet ekonomisë së tregut dhe se duhet t’i rikthehemi rrjedhës normale të jetës dhe sigurisht që i takon biznesmenëve të sillen në përputhje me rrethanat”, tha Fatmir Bytyqi, Zëvendëskryeministër për çështje ekonomike.

Zëvendëskryeministër Bytyqi, tha se zvarritja e ligjit të ri në Kuvend rrit rrezikun që qytetarët të përballen me shtrenjtime.

Me ligjet aktuale kompetencat e inspektorateve janë të kufizuara sa i përket kontrollimit të çmimeve, por një mundësi është që të kontrollohen faturat doganore të importit të mallrave të gatshme për shitje.

“Inspektorati i Punës dhe Inspektorati i Tregut nga e premtja do të jenë në terren për të reaguar si duhet nëse ka rritje të jashtë logjikshme. Nëse në Kuvend nuk е shohin të arsyeshme të miratojnë ligjin për tregti jo korrekte, ne do reagojmë ndryshe. Vlerësoj se është e pranueshme të ketë rritje nga 5-10%, por mos të ndodh të ketë shtrenjtim 70% si te makaronat që ishte më parë, por edhe në prodhime të tjera”, u shpreh Fatmir Bytyqi, Zëvendëskryeministër për çështje ekonomike.

Ministria e Ekonomisë bëri të ditur se zëvendësimi i masës së çmimeve të garantuara do të bëhet përmes ligjit, i cili është në procedurë parlamentare Ndërkohë tregtarët “fërkojnë duart” që të hakmerren ndaj masave të shtetit, të cilat kufizuan fitimin e tyre në 6 muajt e fundit.

Vendimi i qeverisë, i cili fillimisht u miratua nga shtatori ishte i vlefshëm deri në fund të nëntorit të vitit të kaluar, e më pas u zgjat disa herë dhe përfundon nesër, garantoi çmimet për 24 kategori të produkte ushqimore dhe pijeve./ Alsat.mk