Maqedoni e Veriut: Bujqit ulin prodhimin, s’kanë ku i shesin produktet

Ministria e Bujqësisë në Maqedoninë e Veriut, nga viti 2010 deri më tani ka ndarë rreth 1.5 miliard euro në formë të subvencioneve për bujqit.

Këto mjete, megjithatë, nuk kanë kontribuar në rritjen e shfrytëzimit të tokës bujqësore.

Në bazë të të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave të vitit 2022 nga sipërfaqja e përgjithshme e tokës bujqësore prej 514.436 hektarësh, janë mbjellë me kultura të ndryshme bujqësore vetëm 275.297 hektarë, ose 53 për qind e tokës bujqësore.

Arben Halili, ish-drejtor i Odës Ekonomike dhe ligjërues në Fakultetin e Ekonomisë në Universitetin e Tetovës, thotë për REL-in se subvencionet për bujqit janë më se të rëndësishme, por për të pasur efekt ato, duhet ndryshuar modeli i zbatimit të tyre.

“Së pari, për fat të keq, një pjesë e fermerëve subvencionet nuk i shohin si një komponentë zhvillimore, por si një komponentë sociale”, thotë Halili.

Në bazë të të dhënave të Bankës Botërore, sektori i bujqësisë në Maqedoninë e Veriut merr pjesë me 8.6 për qind në Bruto Prodhimin e përgjithshëm Vendor.

Në vitin 2022, fermerët në vend kanë prodhuar më së shumti misër – 286.455 tonë, pasuar nga 238 mijë tonë speca, 196 mijë tonë patate, 151 mijë tonë domate dhe 164 mijë tonë mollë./REL