Lufta Izrael-Hamas: Progres i rëndësishëm u bë në bisedimet për pengjet në Paris

Sipas mediave izraelite, ka pasur “përparim të rëndësishëm” në bisedimet për pengjet në Paris.

Negociatorët kanë shtuar përpjekjet për të siguruar një armëpushim në Gaza, me shpresën për të shmangur sulmet izraelite në qytetin Rafah të Gazës, ku janë strehuar më shumë se një milion njerëz të zhvendosur.

Udhëheqësi i Hamasit, Ismail Haniyeh u takua me ndërmjetësit egjiptianë në Kajro për të diskutuar një armëpushim këtë javë në vizitën e tij të parë që nga dhjetori, shkruan SkyNews, transmeton Klankosova.tv.

Një zyrtar i Hamasit tha dje se grupi militant kishte përfunduar bisedimet e armëpushimit në Kajro dhe po priste të shihte se çfarë do të sjellin ndërmjetësit nga bisedimet e fundjavës me Izraelin.

Kjo vjen pasi ministria e shëndetësisë e Gazës tha se numri i të vrarëve gjatë gati pesë muajve të luftës është rritur në 29 mijë e 606. Numri i përgjithshëm i të plagosurve u rrit në afro 70 mijë.

Duke folur të premten, zyrtari politik i Hamasit, Osama Hamdan tha se grupi militant “është trajtuar pozitivisht me propozimet dhe iniciativat e ndërmjetësuesve”, por se pozicioni i Izraelit “paraqet shumë pengesa për arritjen e një marrëveshjeje”.