Një familje katër anëtarësh nëse paguan edhe qira banimi, do ti duhen 1,185 euro për të mbijetuar. Kjo nënkupton se dy prindërit ose duhet të punojnë nga dy punë ose edhe fëmijët e tyre duhet të punojnë pas përfundimit të orëve mësimore. Por, kjo është vetëm një mesatare sipas shportës së konsumit sindikal për muajin shkurt, e cila u shtrenjtuar për 5 euro në krahasim me janarin. Duke qenë se shumë familje jetojnë me më tepër se 4 anëtarë në një shtëpi, por varen nga kryefamiljarët vështirësitë janë edhe më të pakalueshme për t’ia dalë mbanë deri në fund të muajit. Për ekspertët e ekonomisë kjo llogaritje është sureale pasi që qytetarët kanë harruar restorantet, kafenetë, rekreacione dhe eventet kulturore. Profesori Abil Baush, tha se 37% e buxhetit familjarë shkon vetëm për ushqim dhe pije, si pasojë e shtrenjtimit të artikujve nëpër markete, gjë e cila në vendet e rajonit kjo kosto nuk kalon 21%.
“Është paradoksale kur shikojmë kuotën e shëndetësisë 1,9% dhe arsimi është 12,2% por rekreacioni është akoma më i vogël. Nëse e mendoni që një familje përveç sportit dhe kulturës do të duhet të blejë libra të shkojë nëpër kinema dhe art, por parametrat janë të vogla, dhe njerëzit nuk mund të jenë kreativ dhe sipërmarrës por duhet të mendojnë për mbijetesë”, tha Abil Baush, Ekspert i ekonomisë.
Paga minimale në vend është 20,175 denarë, që nënkupton se do të duhen gati katër rroga minimale për të kapërcyer muajin. Paga mesatare aktualisht është 38.843 denarë, që do të thotë se diçka më tepër se dy paga mesatare duhet të shpenzohen në një familje vetëm për gjërat elementare. Pensioni minimal në Maqedoninë e Veriut tani është 13,162 denarë, që do të thotë se dy të moshuar pa ndihmë tjetër, do të duhet vetëm për barna dhe mjekim të shpenzojnë pensionin, ndërsa për jetesë, mbeten në dorë të Zotit.
Shumica e pensionistëve në Maqedoni, ose 97 mijë, marrin pension minimal, deri në 13 mijë denarë. Rreth 19% e popullsisë janë pensionistë, apo çdo i pesti person në vend është në moshën e shtyrë që pranon pension personal ose familjar. /Alsat.mk