Barazim pa gola në një terren të vështirë për lojë kundër Rabotniçkit në Shkup. Edhe përkundër 3-4 rasteve të qindtpërqindta për gol, skuadra jonë nga kryeqendra u largua me vetëm një pikë….
Terreni jo ideal për lojë, mund të jetë edhe arsyeja e barazimit të parë këtë edicion në Ligën e Parë, pas 4 fitoreve të njëpasnjëshme. Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Boris Trajkovski” në Maxhari të Shkupit nuk lejoi që skuadrat të japin më të mirën.
“Skuadra bëri maksimumin në takimin e sotëm, në të cilin krijuam 3-4 raste të pastërta për gol. Megjithatë në një terren të tillë skandaloz nuk mund të bësh diç më tepër. është e turpshme që në një terren të tillë të luhen ndeshje futbolli” – u shpreh trajneri Shpëtim Duro, i cili tashmë në 5 ndeshje me rradhë po udhëheq skuadrën pa asnjë disfatë.
Ndryshe, vlen të theksohet se barazimi i sotëm, ishte i pari këtë edicion dhe gjithsej i treti që Struga Trim Lum e regjistron nën udhëheqjen e strategut nga Tirana.
Shpëtim Duro sot kundër Rabotniçkit, regjistroi ndeshjen e tij të 30-të në kuadër të Ligës së Parë, si kryetrajner i Struga Trim Lum, ku ka arritur të regjistrojë 22 fitore, 3 barazime dhe 5 disfata.