Osmani: Bëjmë përpjekje maksimale që diaspora të mos ballafaqohet me problemin e nxjerrjes së dokumenteve personale

Kryeministri Talat Xhaferi dhe Kryediplomati Bujar Osmani pas vizitës në stacionin bazë në Ambasadën e Maqedonisë së Veriut në Bruksel, ditë më parë, sot kanë zbarkuar në Konsullatën e Përgjithshme të Maqedonisë së Veriut në Mynih të Gjermanisë.

“Bashkë me Kryeministrin Talat Xhaferi, sot në Mynih, vizitë në stacionin bazë në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Maqedonisë së Veriut, ku bëhet fotografimi dhe marrja e të dhënave biometrike për lëshimin e dokumenteve të udhëtimit për shtetasit tanë.

Periudhë kur të gjithë ne jemi edhe më të përkushtuar për ta tejkaluar në mënyrë më të shpejtë dhe më efikase sfidën e shkaktuar nga numri i madh i kërkesave për shërbime konsullore, veçanërisht në pjesën e dokumenteve të udhëtimit.

Bëjmë përpjekje maksimale që qytetarët tanë të mos ballafaqohen me probleme në shtetin ku jetojnë dhe punojnë, për shkak të obligimeve për nxjerrjen e dokumenteve personale, të cilat burojnë nga Marrëveshja e Prespës”, ka shkruar i pari i Ministrisë së Punëve të Jashtme Bujar Osmani në rrjetin social facebook.