Zgjedhjet presidenciale pritet të shpallen nesër, saktësisht 70 ditë para mbajtjes së rrethit të parë më 24 prill kurse bashkë me to, kreu i Kuvendit Jovan Mitrevski pritet të shpallë edhe zgjedhjet parlamentare. Për shkak se zgjedhjet janë të rregullta, Kuvendi nuk do të shpërndahet dhe do të vazhdojë me punë si normalisht të paktën deri në fillim të prillit, kur edhe zyrtarisht do të fillojë fushata përzgjedhjet presidenciale. Kështu kishte deklaruar ditë më parë kreu i Kuvendit Mitrevski në intervistë për 360 gradë.
“Shpallja e zgjedhje presidenciale e sigurt që do të jetë më 14 shkurt, kurse plani im është që edhe për zgjedhjet parlamentare të jetë atë ditë”, deklaroi Jovan Mitreski, kryetar i Kuvendit.
LSDM-ja njofton se deri në fund të muajit do të përfundojë procedurat për zgjedhjen e kandidatit për president, kurse jozyrtarisht flitet se partia mat rejtingun mes presidentit aktual Stevo Pendarovski, ish ministrit Oliver Spasovski dhe sekretarit të partisë Mile Zeqeviq. Kandidati i tyre pritet të jetë konsensual dhe të marrë edhe mbështetjen e partive tjera të pushtetit.
VMRO-DPMNE-ja do të vërtetojë emrin e kandidatit të saj në Konventën e partisë më 2 mars. Thirrja publike për kandidatë është e hapur por partia ka fokusuar matjet e saja në tre. Emrat më të përfolur në media janë ai i deputetes Gordana Siljanovska Davkova dhe i profesorit Aleksandar Spasenovski.
Opozita shqiptare nga ana tjetër mban të hapur opsionin që kreu i ASH-së Arben Taravari të jetë kandidati i mundshëm i tyre.
Deri tani, kandidatin e ka promovuar vetëm “E majta”, profesoren Biljana Vankovska.
KSHZ-ja pas shpalljes së zgjedhjeve, ditën e nesërme, duhet të konfirmojë afatet zyrtare ligjore që do t’i paraprijnë përgatitjes për zgjedhje.
“Lista e kandidatëve (për president, deputetë dhe këshilltarë) dorëzohet në komisionin zgjedhor kompetent e shumta 35 ditë para ditës së mbajtjes së zgjedhjeve.” – Kodi zgjedhor.
Sipas përllogaritjeve fillestare, 20 marsi do të jetë afati i fundit për zyrtarizimin e kandidaturave për president. Kurse, sa i takon afateve për listat e kandidatëve për deputetë, afati i fundit jozyrtarisht do të jetë 3 prilli.
Ashtu siç afrohen zgjedhjet, institucioni për organizimin e zgjedhjeve vijon përgatitjet zgjedhore, ndërkohë që funksionon me një anëtar më pak, për shkak se opozitës shqiptare nuk i miratohet nga komisioni parlamentar, kandidati i përzgjedhur i tyre. Në vend të shtatë, KSHZ-ja për momentin ka vetëm gjashtë anëtarë.
Rrethi i parë i zgjedhjeve presidenciale është më 24 prill kurse rrethi i dytë dhe zgjedhjet parlamentare janë më 8 maj. /Alsat.mk