FC STRUGA: Pas kthimit nga Antalia, të martën vazhdojmë me përgatitjet e fundit në Strugë

Ekipi të shtunën është rikthyer në Strugë, aty ku do të vijojmë me fazën e fundit të përgatitjeve në prag të stinorit pranveror. Në Antalya të Turqisë qëndruam plotë dy javë, duke mbushur në maksimum motorët për në pranverë, aty ku na pret një garë e ashpër për titullin e kampionit…


Ekipi është rikthyer tashmë në Strugë, aty ku do të zhvillojmë edhe fazën e fundit të përgatitjeve dimërore para vazhdimit të garave në LPFM.

Futbollistët tanë kanë lënë pas dy fazat përgatitore në të cilat u punua në Strugë dhe Antalia të Turqisë, ndërsa përveç seancave stërvitore dhe punës në planin tekniko taktik e fizik, deri më tani kemi zhvilluar edhe katër ndeshje kontrolluese (1 në Strugë dhe 3 në Antalia) në të cilat ekipi manifestoi ngritje graduale të formës, pavarësisht rezultateve ndoshta jo të dëshiruara, por që realisht ishin në plan të dytë.

Në Strugë në ndeshjen e parë të këtij viti, mundëm Karaormanin, ndërsa në Turqi, barazuam ndaj skuadrës polake të Arka Gdynia, derisa u mundëm nga rusët e Orenburg dhe polakët e LKS Lodz.

Të shtunën skuadra është rikthyer në Strugë, ndërsa nga dita e martë ekipi kthehet në stërvitje, për të përmbyllur edhe fazën e tretë dhe të fundit para startit të gjysmësezonit pranveror.

Para ndeshjes së parë zyrtare të vitit 2024 kundër Rabotniçkit në Shkup (18 shkurt), trajneri Shpëtim Duro me datë 10 shkurt do të ketë edhe testin e fundit kundër Tikveshit, përmes së cilës do të ketë një pasqyrë edhe më të mirë 11-shes startuese.