Nga e hëna në Fondin e Sigurimit Shëndetësor do të ketë grevë, ndërsa të punësuarit do të ofrojnë vetëm shërbimet e nevojshme dhe urgjente për qytetarët, shkruan TV21. Në njësitë rajonale do të jetë vetëm një punonjës që do të jetë i angazhuar për marrjen e dokumenteve.
Këshilli Drejtues shtatë herë radhazi tentoi të sjellë vendim, por pa sukses, pasi nuk arriti të sigurojë shumicë prej 4 anëtarëve. Propozimi i ministrit të Financave, Fatmir Besimi, me të cilin u pajtua edhe Qeveria, është që pagat e të punësuarve të ulen për 21%.
Sindikata pohon se të punësuarit në FSSH kanë paga më të ulëta se të gjitha institucionet, ministritë dhe administratën në shëndetësi. Me këtë grevë mund të vihet në pikëpyetje edhe pagesa e pushimit të lindjes, pushimit mjekësor dhe mjekimit në shtet. Duke marrë parasysh se Fondi është përgjegjës edhe për buxhetet e institucioneve shëndetësore, mjekët dhe punëtorët shëndetësorë mund të mbeten pa rrogë, ndërsa spitalet pa terapi.