Prof.Dr.Nebi Dervishi: Kalishti i Strugës është ndër më të vjetrit në rajonin e Strugës

Prof. Dr. Nebi Dervishi

Kalishti i Strugës – ndër më të vjetrit në rajonin e Strugës.

Më 21 nëntor 2023 u mbushën plotë 79 vjet nga vrasjet makabrë që bëri falanga kriminale të Brigadës së V të Mariovës të oficer Canes, në oborrin e Xhamisë së fshatit, me ç‘rast do të ekzekutohen tre burra dhe do të terrorizohen shumë gra e burra të fshatit ( 21 nëntor 1944)

Kalishti shtrihet në pjesën jugore të territorit të komunës së Strugës, pranë Liqenit të Ohrit, 3.5 km në perëndim të Strugës, me një territor të vogël prej 3.7 km2 (180 ha tok buke, 108 ha pyje e 52 ha kullosa) dhe në një lartësi mbidetare 694 metra.
Fshati Kalishtë hynë në grupin e fshatrave më të vjetra të rajonit të Strugës. Sipas gojdhënës për shkak të bukurive që ia ka falur natyra pranë liqenit, siç besohej dikur në lashtësi, këtu ka banuar një mbretëreshë me emrin Kalinë (kal-in). Sarajet e mbretëreshës (rezidenca) është quajtur „Kulla“, që shtrihej pranë manastirit mesjetar të Shën Mërisë. Nuk ka pik dyshimi se emrin fshati e ka me preardhje shqipe: -k a l- është kafsh shtëpiake njëthundrake, e fortë dhe e shkathët, me trup të madh, të mbuluar me qime të buta e të shkurtra, me bisht të gjatë e me jele që shërben për të hipurnë të ose për të mbajtur diçka dhe për të tërhekur karrocën si dhe nga fundorja -i sh t e- e ilirishtes.
Në territorin e Kalishtës janë këto lokalitete arkeologjike:
KRASTA: vendbanim i fortifikuar nga periudha romake që është i vendosur në jug të fshatit, në një kodër të lartë, e pa gjelbërim, ku ka pasur rrënoja muresh, grumbuj muresh shkëmbor, fragmente enësh qeramike dhe pitose. Nga ky lokalitet është edhe trupi i statuetës të Artemidës që ruhet nga një koleksionues privat.
KALISHTI: vendbanim nga koha e enolitit (bakrit). Sipas dëshmive gojore, por edhe kërkimeve arkeologjike të vitit 2010, në rajonin në mes Kalishtës e Strugës, në brendi të liqenit, në një thellësi prej 3-4 metra peshkatarët kanë ndeshur në një vendbanim palofit (në hunjë), si dhe janë gjetur eshtra dhe vegla guri.
Lokaliteti VRESHTAT ose Buzelica (lozje): është objekt i veçantë i antikitetit të vonshm që shtrihet në perëndim të fshatit ku janë zbuluar rastësisht patos prej tullash.
MANASTIRI I SHËN MËRISË: Është gjetje e vetme nga koha romake. Në hapsirën e oltarit të kishës, në cilsinë e tryezës nderi është vendosur „pllaka“ mermeri i bardhë dhe me mbishkrim grek.
Lokaliteti SHËN NIKOLLA: është kishë dhe nekropol (varrezë) mesjetare, e vendosur në jug të fshatit rreth 500-800 m ku është zbuluar një kishë njëanijore dhe rreth saj janë vendosur varreza me konstrukcion pllakash guri.
Jo fort largë fshatit, në brigjet perëndimore të liqenit gjindet MANASTIRI I KALISHTËS ose i njohur me emrin Manastiri i SHËN MËRISË. Tempulli është vendosur në shkëmbitë dhe është tipik mesjetar. Mendohet se është nga shek. XIV dhe i është dedikuar murgeshës (eremisë) ose e shprehur në formë figurative „njeri që jeton i vetmuar duke vuajtur, mashkull ose femër, që jeton e vetmuar duke hequr keq“. Piktura murale që është vendosur aty i përket shek. XIV-XV.
Për herë të parë në dokumentet e shkruara emrin e fshatit Kalishtë e ndeshim në gjysmën e parë te shek.XVI. Në regjistrimin e vitit 1536-1539 për Sanxhakun e Ohrit, ku fshati Kalishtë është në kuadër të Nahisë së Ohrit, fshati ka numëruar: 26 familje, 3 beqarë dhe 4 vejushe.
Në regjistrimin e vitit 1583 për Sanxhakun e Ohrit, fshati Kalishtë ka qenë në kuadër të Nahisë së Ohrit dhe ka numëruar 16 persona, 1 benak (djal i një fshatari musliman, i sapomartuar, që ishte i detyruar të pagojë taksën e benakut, që ishte një pjesë e taksës së çiftit), 9 familje të krishtera „jo besimtare“ e 6 beqarë, i kanë paguar timarit 4000 akçe në vit, 1 mulli has dhe një mulli tjetër pronë e Kapllanit, që ka punuar gjysmë viti.
Në dokumentet osmane shënojmë edhe dy daljane: Daljani i Kalishtës, i cili është pronë e kalishtarëve (banorëve të fshatit) të cilët ishin të obliguar në vit t’i pagojnë Eminit të Liqenit për gjuajtjen e peshkut 9 000 akçe në vit; Daljani i GJIN Keshavës po ashtu i takonte Kalishtës, por konpetencat i ka pasur Podnik Prodani, i cili për ç’do vit në formë të qirasë ka pagur 100 akçe në vit.
Në fund të shek XVIII fillim të shek XIX në kohën e sundimit të Xheladin beut, Kalishti ka numëruar 16 shtëpi. Në këtë kohë që po trajtojmë, shumica e familjeve të krishtera u konvertuan në fenë islame. Gjatë kohë kalishtarët në gëzime familjare kanë kënduar këngë kushtuar Ali Pash Tepelenës dhe dhëndërrit të tij Xheladin beut, sundimtarit të Ohër-Strugës.
Në vitin 1865 rrugëpërshkruesi gjerman Hahn shënon se fshati numëron 25 shtëpi muslimane dhe jep emrin Kalishtje dhe Kaliçja.
S.I. Verkoviq në vitin 1889 në veprën „Topografisko Makedonju“, faqe 287 shënon se fshati numëron: 1 familje bullgare (5 meshkuj e 6 femra) dhe 38 familje shqiptare me 165 shpirtë.
Pak vite më vonë misionari serb Branisllav Nushiq në librin „Pranë brigjeve të liqenit të Ohrit“ (1892) në mes tjerash shkruan: „Në brigjet e Liqenit që valët e lagin atë, mbi Radozhdë, rreth një orë largë, shtrihet Manastiri i Shën Mërisë (Sv Preçiste), të cilin ndryshe e quajn „Kalishça“ sepse 10 minuta mbi Manastir shtrihet fshati me 5-6 shtëpi, që e mban këtë emër“.
Prokonsulli Austro-Hungarez në Manastir, Aleksandër Kral, në vitin 1897 shënon se fshati Kalista numëron 29 shtëpi me 204 banorë albanier gegen. Ndërsa etnologu bullgar Vasil K’nçov në vitin 1900 fshati „Kalishça“ ka numëruar: 1 familje bullgare e 8 bullgar (4 meshkuj dhe 4 femra) dhe 39 familje muhamedane me 206 banorë (106 meshkuj dhe 100 femra).
Në vitin 1914 në regjistrimin që jep „naçallniku“ (kryeshefi) i qarkut të Ohrit, J. Qirkoviq, fshati Kalishtë është në kuadër të Komunës së Radolishtës, ku gravitonin edhe fshatrat: Ladorishtë, Zagraçan e Fërngovë, që së bashku kanë pasur 1461 frymë, ndërsa vetëm Kalishti ka numëruar 9 të krishterë (5 meshkuj dhe 4 femra) dhe 365 muslimanë (219 meshkuj dhe 146 femra).
Pas Luftës së Petrinjës (1-2 tetor) dhe shuarjes së Kryengritjes së Shtatorit 1913, mbreti i Serbisë Petri, në shenjë hakmarrjeje, lëshon një dekret që meshkujt nga 7 deri në 70 vjeçar të likujdohen sepse marrin pjesë në kryengritje.
Situatë tepër e rëndë mbretëron këto ditë tetori në Strugë e rrethinë. Pasi Struga u riokupua nga ushtria serbe, aty u stacionua edhe një garnizon ushtarak prej rreth 30-40 vetë. Paria e fshatrave thirreshin në Strugë dhe „këshilloheshin“ nga nënpunësi i posaçëm që „të gjith ata që kanë lënë vatrat e tyre dhe janë shpërndarë këndej e andej të kthehen menjëherë në shtëpi të shohin punën e tyre dhe t’i dorëzojnë armët në Strugë“. Ndaj atyre që nuk i nënshtroheshin urdhërave serbe, ushtria dhe çetat çetnike serbe ndërmerrnin ekspedita ndëshkuese. Aty nga mesi i muajt tetor 1913, pas vrasjes së tre ushtarëve serb në afërsi të fshatit Kalishtë, ushtria serbe rrethon fshatin dhe i torturojnë tmerrësisht banorët e pafajshëm, si: Musa Elmazi, Shefki Elmazin, Shefik Krastën etj, të cilët më pas i arrestuan dhe i dërgojnë në Strugë për t’i pushkatuar. Por, fal ndërhyrjes së dajës së Shukri Elmazit, Ali Xhigerit nga Struga që pagoi 20 napolona flori ushtarëve serb, i shkoi përdore t’ua shpëtoi jetën të arrestuarve kalishtarë.
Pas largimit të pushtetit nazist (8 nëntor 1944), ku edhe në Strugë duhej të vendosej pushteti popullor dhe të shijohet liria, si dhe pas largimit të Brigadës së IV Sulmuese Shqiptare në drejtim të Kërçovës e Gostivarit, në rajonin e Strugës u vendos Brigada e V maqedonase e Mariovës, e komanduar nga oficeri Cane nga Përlepi. Brigada e Mariovës pa humbur kohë në të gjitha fshatrat shqiptare ushtron luftë të çfrenuar për t’i „çarmatosur“ me terror e genocid ndaj popullatës shqiptare të pambrojtur. Në të gjitha fshatrat shqiptare u përpiluan lista për dorëzimin e armëve.
Më 21 nëntor 1944, një çetë e Brigadës së V të Mariovës, pasi më parë kishin përpiluar një listë prej 15 vetë për t’i ekzekutuar të fshatit Kalishtë, ku në mes të tjerëve ishin: Xheladin Jusufi, Ida Ibrahim Alushi, Dilaver Ibrahim Alushi, Zini Lutfi Alushi, Aqif Bari Elmazi, Elmaz Shukri Elmazi, Mustafa Adem Merko, Qamil Demir Alushi, Daut Agush Dauti etj. Shumica e personave (12) të listës duke qenë të informuar më parë, natën kritike të 21 nëntorit, përmes Çakalicës, “Te gropat e Qarrishtës“ largohen për në fshatin Linë. Në mëngjesin e ditës së kobshme „falanga“ komuniste e Mariovës (Brigada e V e Mariovës) në oborrin e xhamisë së fshatit Kalishtë i ekzekutojnë tre persona: Teki Shukri Elmazin (lindur në 1924), Ismail Osman Elmazin (1904) dhe Shefki Mustafa Miftarin (Krasta, lindur në vitin 1886-1944), i cili kishte çetën e tij të „Ballit Kombëtar“.
Përveç ekzekutimit të tre burrave, në oborrin e xhamisë, nuk u kursyen edhe gratë, si: „Shukrica“ (bashkëshortja) e Shukri Elmazit, e shoqja e Ismail Elmazit, e shoqja e Aqif Elmazit dhe nëna e Ismail Elmazit, i cili ekzekutohet mbi nënën e vetë, e cila bëri përpjekje për ta mbrojtur dhe shpëtuar djalin e saj.
Në oborrin e xhamisë së fshatit është torturuar edhe Shemo Merko, por shpëton nga ekzekutimi në saj të intervenimit të priftit të Linit, sepse ky i fundit në vitin 1943 ndihmohet nga Shemo Merko që të mos ekzekutohet.
Pas ekzekutimit (vrasjes) të tre burrave në oborrin e xhamisë dhe torturimit të grave, Brigada e V e Mariovës ka plaçkitur shtëpitë e kalishtarëve duke marrë me forcë shegat (fuçitë) me gjalp, djathë, turshi dhe ushqime të tjera.
Trupat e të vrarëve kanë qëndruar për një kohë në oborrin e xhamisë, njëri prej tyre mbi kapicë të misrit, ndërsa varrimi është bërë aty në vendin e vrasjes.Trupi i Shefki Krastës është varrosur me tesha, pa ceremoni fetare, pra, pa e larë xhenazen, sepse ka qenë e pa mundur.
Në muajt nëntor-dhjetor të vitit 1944, në të gjitha fshatrat e rrethit të Strugës, pushteti popullor komunist bëri mobilizimin me dhunë duke dërguar në njësit që do të marrin pjesë në Frontin e Sremit. Në mesin e tyre ka qenë edhe Beadin Xheladin Jusufi, bujk nga fshati Kalishtë, i lindur më 22. 06. 1922. Në ushtri inkuadrohet më 16 dhjetor 1944, në përbërje të çetës së tretë, të Batalionit të I të Brigadës së II Maqedonase. Kalishtari Beadin me Brigadën e II Maqedonase merrë pjesë në Betejën e Sremit, ku humbi jetën në luftimet e ashpra për çlirimin e Vinkovcit më 13 prill 1945.
Pas përfundimit të luftës dhe vendosjes të pushtetit komunist u përdorën forma të shumëllojshme për të bërë presion mbi popullatën shqiptare. Rekujzimi, marja me detyrim për nevojat ushtarake ose grumbullimi i tepricave, siç e quanin organet e pushtetit të atëhershëm, ishte një formë specifike e presionit sllavokomunist mbi shqiptarët.
Në vitin 1948 hyri në fuqi Ligji për kolektivizim, si veprim eksperimental komunist, që i detyronte fshatarët, pa vullnetin e tyre, të hynte në bashkësin e ofruar, e cila, siç e provoi koha ishte pa perspective. Ndaj familjeve që e kundërshtonin Ligjin mbi bashkësinë (kolektivizimin) merreshin masa tepër drkonike, si burgosje, internime, dhunë fizike, arresime, etj, pasi trajtoheshin si armiq të sistemit dhe të shtetit.
Një rast të tillë kemi edhe në fshatin Kalishtë. Në vitin 1949 me AQIF BARI ELMAZIN, i lindur në vitin 1916, me profesionë bujkë, por që është marrë edhe me peshkim. Nga autoritetet e kohës iu kërkua të dorëzonte inventarin e vlakut (mjet peshkimi, pronë individuale) dhe iu kërkua që të hyjë në kolektiv (siç duket aty nga 17 shtatori1949). Pasi i lanë në dispozicion dy javë, për t’ia humbur kokën në mënyrë tinzare dhe fshehtas ia organizojnë djegjen e vlakut. Më pas autoritetet e arrestojnë Aqifin, duke e dërguar në burgun e Strugës, ku qëndron për një kohë të shkurtër.
Gjatë procesit të montuar të gjykimit, në kokë i ngelin një gozhdë dhe sa herë që i shtronin pyetje, togat në gjykat i binin gozhdë për t’ia detyruar Aqifin që të pranonte çdo akuzë Gjykatësi e dënon Aqifin me vdekje. Gjatë qëndrimit të shkurtër në burgun e Strugës, pas torturave çnjerëzore dhe në rrethana të pa sqaruara Aqif B. Elmazi, ndërron jetë, me dy të prera në fytë. Në këtë kohë shef dhe organizatorë i këtyre torturave ka qenë Jordan Sukla nga Bellçishti i Debërcës. Trupi i pa jetë i Aqifit, mirret nga spitali i Strugës nga familjarët dhe varroset në vendlindje.
Kamë të evidentuar edhe raste e ngjarje të tjera të cilat do t’i shpalos në një rast tjetër.