Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, tha se 27 anëtarët e bllokut evropian janë pajtuar për paketën e re të ndihmës për Ukrainën në vlerë prej 50 miliardë eurosh.
Marrëveshja u arrit gjatë një samiti të udhëheqësve të Bashkimit Evropian të mbajtur në Bruksel më 1 shkurt.
Miratimi i paketës së ndihmës ishte vënë në pikëpyetje për shkak të kundërshtimeve paraprake të Hungarisë.
“Kemi marrëveshje… Kjo zhbllokon fiinancimin e qëndrueshëm, afatgjatë dhe të parashikueshëm për Ukrainën. BE-ja po merr udhëheqjen dhe përgjegjësinë në mbështetje të Ukrainës. Ne e dimë se çfarë është në rrezik”, shkroi Michel në X, që më herët njihej si Twitter.
Një paketë e tillë e ndihmës ishte bllokuar dhjetorin e kaluar nga kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban.
“Është shumë e rëndësishme që vendimi u mor nga të gjithë 27 udhëheqësit e BE-së, që edhe një herë dëshmon unitetin e fortë të BE-së”, shkroi në X presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, pas publikimit të vendimit.
“Ndihma e vazhdueshme financiare e BE-së ndaj Ukrainës do të forcojë ekonominë në terma afatgjatë dhe stabilitetin financiar, të cilët nuk janë më pak të rëndësishëm se mbështetja ushtarake dhe presioni ndaj Rusisë përmes sanksioneve”, shtoi ai.
Agjencia gjermane e lajmeve, Dpa, që ka parë një kopje të vendimit, tha se në të thuhet që liderët e BE-së “do të mbajnë një debat të përvitshëm” për zbatimin e shpërndarjes së fondeve për Ukrainën dhe “nëse është e nevojshme, pas dy vjetësh, Këshilli Evropian do të ftojë Komisionin Evropian që të bëjë propozim për rishikimin” e financimit.
Ukraina ka nevojë urgjente për ndihmë financiare dhe ushtarake, në mes të sinjaleve për një lodhje politike të Perëndimit përderisa pushtimi rus i Ukrainës është afër dyvjetorit.
Duke shtuar shqetësimet e Kievit, një projektligj shtesë për shqetësimet që përfshin 61 miliardë dollarë ndihmë për Ukrainën është bllokuar nga Kongresi amerikan, mes kundërshtimeve të ligjvënësve republikanë.
Orban, i vetmi udhëheq i BE-së që ende ka raporte të ngushta me presidentin rus, Vladimir Putin, vazhdimisht ka pasur mosmarrëveshje me udhëheqësit e tjerë të bllokut lidhur me masat për të ndihmuar Ukrainën që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.
Ai ka shprehur kundërshtime ndaj sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë dhe madje ka hedhur idenë e mbajtjes së bisedimeve të paqes mes Moskës dhe Kievit.
Në samitin në Bruksel, nga udhëheqësit e 27 shteteve anëtare të bllokut kërkohej që të vendosnin në mënyrë unanime për paketën e ndihmës për Ukrainën, që do të financohet nga buxheti i përbashkët të BE-së.
Orban, populist i krahut të djathtë që është në pushtet që nga viti 2010, është përballur me kritika se kundërshtimi i tij për ndihmën e BE-së për Ukrainën përbën shantazh të bllokut për miliarda euro fonde, që BE-ja ka ngrirë për Hungarinë për shkak të shqetësimeve të Brukselit për nivelin e demokracisë dhe sundimit të ligjit në Budapest.
Para samitit, ministrat e Mbrojtjes të bllokut u takuan në një takim joformal më 31 janar në Bruksel për të diskutuar për nevojën e forcimit të industrisë së mbrojtjes së bllokut dhe për ndihmën ushtarake për Ukrainën.