Dimër i vështirë për tregtarët në Strugë

Bizneset e Strugës po kalojnë një tjetër dimër të vështirë. Ata thonë se mezi ia dalin për të mbuluar pagat e punonjësve, dhe për të paguar taksat, që janë më të larta për energjinë elektrike, ujin dhe shërbimet e tjera. Sipas tyre, po bëhet gjithnjë e më vështirë që objektet turistike të mbijetojnë në Strugë.

“Me këtë qarkullim që po bëjmë tani nuk mund të shpërndajmë paga e aq më pak të bëjmë diçka më shumë për rritjen e pagave për punonjësit. Krahas kësaj, përballemi me rritje ditore të çmimeve, si për ujin, rrymën, kanalizimin”, tha Visar Ljumani – menaxher hoteli.

Problem shtesë është se Struga me të madhe po zbrazet, dhe këtë e ndjejnë vetë tregtarët.

“Janari, shkurti është gjithmonë një periudhë e vdekur. Ikën mërgimtarët, ikin njerëzit me të madhe, ky është një problem plus. Unë jam në këtë vend për pesë ose gjashtë vjet. Dallimi ndjehet. Për 50-60 është zvogëluar”, tha Badin Reshadini – pronar i një byrektore.

“Dikur kishte shumë njerëz, tani të gjithë të rinjtë janë larguar, kanë mbetur vetëm të moshuarit. Të rinjtë ikin jashtë vendit”, shtoi Lina Gjuzie – shitëse lokale.

Ata thonë se ndjejnë qarkullim të reduktuar dhe më pak punë në këtë periudhë të vitit, kur mungojnë turistët dhe mërgimtarët.

“Komuna duhet të ndërmarrë shumë hapa për këtë çështje, për të bërë ndryshime, për të ndjekur shembujt e disa vendeve të tjera turistike”, theksoi Valentina Jovanoska – pronare e dyqanit

Është evidente se gjithnjë e më shumë dyqane po mbyllen, dhe disa vendosin të punojnë vetëm në verë, kur është edhe sezoni turistik. Sot, pothuajse 13,000 banorë më pak jetojnë në Strugë, dhe numri i të papunëve në Strugë është 2,814 njerëz, shumica e të cilëve janë të rinj./Alsat.mk