Mandatari Talat Xhaferi në Kuvend e ka dorëzuar Programin dhe Propozimin për përbërjen e Qeverisë teknike, ndërsa kryeparlamentari Jovan Mitreski seancën për zgjedhjen e Qeverisë së re e ka caktuar për nesër (28 janar, e diel) në ora 11:00.
Në Programin e Qeverisë, mandatari Xhaferi thekson se prioritet i kësaj Qeverie do të jetë organizimi i suksesshëm i zgjedhjeve të lira, të ndershme dhe demokratike më 24 prill dhe 8 maj, vazhdimi i të gjitha proceseve që rezultojnë nga negociatat e nisura për anëtarësim me BE dhe integrimi i përshpejtuar evropian, rritja dhe zhvillimi i ekonomisë, rritje e standardit të jetesës duke rritur pagat dhe pensionet minimale dhe mesatare në 2024, uljen e inflacionit dhe ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe punësimit, mbështetje direkte për qytetarët dhe kompanitë në 2024 , shteti ligjor, lufta kundër krimit dhe korrupsionit, rend dhe rregull i plotë i shtetit, vazhdimi i proceseve reformuese në të gjitha nivelet shtetërore.
“Për këtë qëllim, Qeveria, bazuar në dialogun e gjerë ndërpartiak, do të mundësojë zbatimin me efikasitet të rekomandimeve të OSBE/ODIHR dhe organizatave të tjera ndërkombëtare për të mundësuar standardet më të larta evropiane në procesin e fushatës zgjedhore dhe vetë zgjedhjet, gjegjësisht të zhvillohen zgjedhje me ligjshmëri të plotë, legjitimitet dhe pranim konsensual të vullnetit elektoral të qytetarëve”, thuhet në programin e mandatarit Xhaferi.