Në zonën Rafah në jug të Rripit të Gazës, më shumë se gjysma e popullsisë së Gazës tani jeton përballë përkeqësimit të kushteve sanitare dhe rritjes së urisë, njoftoi këtë të enjte OKB.
Zyra e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA) paralajmëroi se një përshkallëzim i mëtejshëm i dhunës në zonë “mund të ketë pasoja të rënda për më shumë se 1.3 milion banorë” që janë strehuar atje.
Qindra mijëra njerëz të zhvendosur janë tani në rrugët e Rafah-ut dhe qytetit më të madh të Gazës jugore, Khan Younis, “duke jetuar në strehimore të improvizuara në kushte të mjerueshme, me pak ose aspak akses në ushqim, ujë, ilaçe dhe strehim të duhur“, tha OCHA.
Mungesa e ujit ka përkeqësuar edhe kushtet sanitare dhe sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), janë regjistruar 158,000 raste të diarresë. U grumbulluan rreth 50,000 ton mbetje të ngurta.
Më shumë se 650,000 njerëz në Gaza nuk kanë më shtëpi ku të kthehen pas luftës dhe shumë të tjerë nuk mund të kthehen menjëherë për shkak të dëmeve të shkaktuara.
Për më tepër, raporti i OCHA theksoi se tetë milionë tonë rrënoja janë grumbulluar tani në Gaza për shkak të shkatërrimit të ndërtesave të banimit dhe se do të duhen më shumë se tre vjet për t’i hequr ato, raporton agjencia.
Prodhimi i ujit në puset komunale është një e dhjeta e kapacitetit prodhues që nga para fillimit të luftës më 7 tetor. Tani ka 15 furra buke në Gaza, nga 97 para 7 tetorit.