Harxhimet minimale për një familje në Maqedoni janë rritur në 930 euro

Rritje për gati 10 euro ka shënuar shporta konsumatore duke arritur në afër 930 euro. Me fjalë tjera, vlera e shportës minimale sindikaliste për muajin e parë të vitit është 57.163 denarë, dhe në raport me dhjetorin është shtrenjtuar për 641 denarë.

Në muajin më të shtrenjtë të vitit, ushqimi dhe pijet kapin vlerën 21.007 denarë, për veshmbathje 4.803 denarë, për ujë, rrymë dhe ngrohje 6.014 denarë, për higjienën personale dhe ruajtjen e higjienës në shtëpi 1.797 denarë, për shëndetësi 1.115 denarë, për transport 4.759 denarë, për komunikim 2.709 denarë, për rekreacion dhe kulturë 4.205 denarë etj. Në rast se në këtë shportë përllogaritet edhe pagesa e qirasë për një banesë me 60 metra katror, në atë rast shporta minimale për muajin janar arrin vlerën e 72.538 denarë (1.179 euro).

Nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë thonë se sivjet edhe përllogaritja e re e shportës konsumatore është një argument shtesë për rritjen e pagave të punonjësve. Kreu i LSM, Slobodan Trendafillov thotë se nëse analizohet periudha 2020 e këndej, po vërehet se ka një rritje të vazhdueshme të kostos së jetesës.

Kështu, nëse në dhjetor 2020 një familjeje i nevojiteshin 33.696 denarë (547 euro), në dhjetor 2021 për të njëjtin qëllim i nevojiteshin 35.042 denarë (569 euro), ndërsa në vitin 2022 duhej 43.163 denarë (701 euro). Për më tepër, metodologjia e re për llogaritjen e shportës së konsumit sindikal, që u shpalos në fund të vitit të kaluar, tregoi se dy paga minimale nuk mjaftojnë për të mbuluar shpenzimet minimale të një familjeje katër anëtarëshe.

Bile në situatë më të vështirë janë familjet që paguajnë qira për shkak të harxhimeve të banimit së bashku me ujin, rrymë n dhe ngrohjen. Rritje e harxhimeve shënohet edhe së fundmi edhe nëse krahasohen harxhimet në muajin dhjetor dhe janar. Edhe me harmonizimin e pagës minimale në muajin mars të këtij viti që do të arrijë në 22.500 denarë (365 euro) sërish edhe me dy paga nuk mbulohet shporta sindikale minimale.