Nuk kanë të ndalur luftimet në Rripin e Gazës, ushtria izraelite ka rrethuar Kan Junisin

Forcat tokësore izraelite kanë rrethuar Kan Junis në jug të Gazës dhe kanë kryer një operacion të gjerë, tha ushtria. Trupat izraelitë luftuan kundër Hamasit, ndërsa dhjetëra militantë janë vrarë në 24 orët e fundit. Zyrtarët izraelitë kanë thënë më parë se udhëheqësit e lartë të Hamasit mund të fshihen në tunele në qytet, i cili është vendlindja e zyrtarit më të lartë të grupit në Gaza.

Ndërkohë ushtria izraelite ka thënë se 21 ushtarë të saj janë vrarë në Rripin e Gazës, duke e konsideruar këtë si sulmin më vdekjeprurës ndaj forcave të saj në luftën tremujore kundër Hamasit.

“Gjatë luftimeve në qendër të Rripit të Gazës, u vranë 21 luftëtarë rezervistë. Forcat izraelite po operonin në një zonë që ishte tampon midis komuniteteve izraelite pranë Gazës, pranë komunitetit të Kisufit. Sipas asaj që ne dimë, rezervistët kanë qenë duke përgatitur mjete shpërthyese për t’i shkatërruar dy ndërtesa në qendër të Gazës, kur një militant ka lëshuar granatë në tankun e afërt. Si pasojë e këtij shpërthimi ndërtesat janë shembur, ndërsa kur pjesa më e madhe e ushtarëve ishin brenda”, deklaroi Daniel Hagari, zëdhënës i ushtrisë izraelite.

Numri i madh i të vdekurve në anën e ushtrisë, ka rritur presionin ndaj Qeverisë izraelite që t’iu japë fund luftimeve. Kryeministri izraelit Benjamin Nentanyahu është zotuar se do të çojë përpara ofensivën derisa Izraeli të shkatërrojë Hamasin dhe të lirohen 100 pengjet që po mbahen në Gazë. Mirëpo izraelitët janë të ndarë, në atë nëse mund të realizohen këto dy synime. Familjet e pengjeve dhe shumë mbështetës të tyre, i kanë bërë thirrje Izraelit të arrijë marrëveshje armëpushimi, pasi koha po ec. Si pasojë e ofensivës ushtarake të Izraelit në Gazë janë vrarë mbi 25.000 palestinezë. Kombet e Bashkuara dhe agjenci ndërkombëtare për ndihmë, vlerësojnë se luftimet kanë shkaktuar katastrofë humanitare në Gazë, pasi një çerek i këtij territori, me 2.3 milionë banorë, po përballet me uri.