Lojërat e fatit po ua zbrazin xhepat qytetarëve, thotë sociologu Ali Pajaziti. Sipas tij ka edhe prej tyre që në baste dhe kazino po i harxhojnë pensionet dhe ndihmat sociale, me shpresën që mund të fitojnë më tepër. Ai shton se edhe reklamat e tepërta që po bëhen ndikojnë negativisht.
“Kemi nevojë për një aktivizim qytetar që të ndalohet ky kancer pa metastazuar deri në fazën kur kurimi është më i pamundur. Institucionet shtetërore merren me provokimin e shtëpive të librave e jo me fabrikat e degradimit dhe antivlerat.”- tha Ali Pajaziti, Sociolog.
Xhemal Abdiu nga Lëvizja Antibixhoz vlerëson se propozim ligji i qeverisë për distancën 500 metra larg objekteve shkollore, nuk i plotëson kërkesat e kësaj lëvizjeje. Ai thotë se lojërat e fatit duhet të mbyllen krejtësisht.
“Nga vrasja e dy të rinjve në Vizbeg që ndodhi, ne ndryshuam mendim, dhe prej atëherë kërkojmë mbyllje me çdo kusht, deri në sjelljen e një ligji të mirëfilltë i cili do të mbrojë mirëqenien e qytetarit.”- tha Xhemal Abdiu- Kryetar i Lëvizjes Antibixhoz.
Deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Halil Snopçe tha se deri sa luftonte për kërkesat e Lëvizjes Anti-Bixhoz, i vetmi që shprehu publikisht përkrahje, ishte Izet Mexhiti
“Interesant ishte i vetmi i cili publikisht dha përkrahje për propozimin e ASH ishte z.Izet Mexhiti, vetëm ai doli publikisht tha e përkrahim propozimin e ASH dhe ne qëndrojmë pas ASH, dhe nuk kishim asnjë deklaratë publike prej asnjë personi fizik dhe juridik, prej asnjë shoqate juridike në shenjë përkrahje.”- tha Halil Snopçe, deputet i ASH.
Visar Ganiu, kryetari i komunës së Çairit, theksoi se në Vjenë ka vetëm një kazino, ndërsa vetëm në Çair janë hapur 5.
“Ky është një maskim total, siç është maskim kur përmendëm gjatë zgjedhjeve parlamentare dhe lokale ku kanë dalë domethënë shumë nga ministria, janë zotuar që do t’i mbyllin në mënyrë totale kazinotë, por ka ndodhur e kundërta prej 1 tani i kemi 3.”- deklaroi Visar Ganiu Kryetar i Komunës Së Çairit.
Për këtë temë u fol në panel diskutimin të organizuar nga Instituti IDEA. Të dhënat e këtij instituti tregojnë se në Maqedoninë e Veriut eksitojnë rreth 1.416 pika në të cilat qytetarët mund të luajnë lojëra të fatit, apo mesatarisht 18 pika në çdo komunë duke përjashtuar mundësinë online.
Ndryshe ligji i ri i cili parasheh që kazinotë të jenë 500 metra larg shkollave ende nuk ka kaluar në Komisionin ligjvënës.