Është rritur në 213 numri i personave që kanë humbur jetën nga tërmetet që ndodhën në rajonin Ishikawa në perëndim të Japonisë dhe në bregdetin e Gadishullit Noto, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë nga prefektura e rajonit Ishikawa thuhet se është rritur në 213 numri i personave që humbën jetën në tërmetet e shumta që ndodhën në javën e parë të janarit.
Në të gjithë rajonin mbi 25 mijë njerëz qëndrojnë në 400 pikat e evakuimit ndërsa për shkak të bllokimit të rrugëve kanë mbetur të bllokuar 3.100 persona ndërsa rreth 60 mijë shtëpi ballafaqohen me ndërprerje të energjisë elektrike.
Numri i personave që marrin trajtim për lëndime të ndryshme është 567 në të gjithë vendin. Gjithashtu vazhdojnë punimet e kërkimit për 52 persona nga të cilët nuk ka ende ndonjë informacion.
Qeveria qendrore njoftoi se do të përgatisë pikë strehimi për rreth 10 mijë persona në rajonet përreth Fukui, Toyama dhe Niigata për ata që kanë mbetur të bllokuar në rajonin ku ndodhi tërmeti.
Sipas Agjencisë Meteorologjike Japoneze (JMA), në periudhën 1-5 janar shumë tërmete me magnitudë nga 5 deri në 7 ballë kanë ndodhur në Gadishullin Noto dhe në brigjet e Ishikawa-s.