Në prag të zgjedhjeve, partitë politike ende pa kandidatë për president

Asnjë parti politike deri tani nuk e ka konfirmuar kandidatin e saj për president të shtetit. Partitë politike me sa duket janë në pritje të konfirmimit të koalicioneve parazgjedhore me qëllim për të vendosur si do të veprojnë më tej.

Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë ditëve në vijim do të informojë gjithçka lidhur me procedurën për përzgjedhjen e kandidatit për president, pasi më 26 dhjetor solli vendim për thirrje të kongresit të 27 të partisë, kur edhe do të konfirmohet edhe kandidati.

“Ditëve në vijim do të informojmë gjithçka lidhur me procedurën për zgjedhjen e kandidatit për president”, thanë nga LSDM-ja.

Nga OBRM-PDUKM pohojnë se nuk kanë lëvizur në drejtimin për të zgjedhur kandidat për president.

“Nuk ka asnjë ndryshim sa i përket kësaj çështjeje. Sapo të kemi ndonjë vendim, për të njejtën do ta informojmë opinionin”, thanë nga OBRM-PDUKM.

Siç njoftuan para pak ditësh nga Lidhja Europiane për Ndryshim, ata tanimë kanë filluar të shqyrtojnë një numër të caktuar kandidatësh ndërsa tendenca e tyre është të jetë figurë jashtë partive politike.

“Tani për tani bisedohet me një numër të caktuar kandidatësh mirëpo ende nuk kemi arritur te vendimi final për t’a shpallur. Ka kandidatura të mundshme por në përgjithësi tendenca jonë është të jetë ndonjë figurë politike jashtë partive politike i pranueshëm për të gjithë që të mund të prekë te votuesi i papërcaktuar dhe ata të cilët kanë refuzuar të dalin në zgjedhje deri tani”, deklaroi Orhan Murtezani – LEN.

Sipas informacioneve jozyrtare, si emër potencial për kandidat për president nga radhët e opozitës shqiptare thuhet të jetë ish kryetari I Rilindjes Demokratike Kombëtare, Rufi Osmani.

Megjithatë periudhën në vijim pritet të konfirmohen kandidatët nga të gjitha partitë politike. Raundi i pare i zgjedhjeve presidenciale është më 24 prill ndërsa raundi i dytë më 8 maj, të cilat do të mbahen bashkë me ato parlamentare.