Çmimet, qytetarët u përballen me situatë të rëndë

Për katër muajt e pranverës Qeveria ngriu e shkriu katër herë çmimet e disa artikujve ushqimore bazë. Duke filluar nga 1 marsi deri më 30 qershor, me propozim të Ministrisë së Ekonomisë pati ngrirje të një pas njëshme të produkteve ushqimore bazë. Vendimi parë hyri në fuqi më 1 mars që buka e bardhë dhe gjysmë e bardhë të shitet me çmimin 33 denarë për sasinë 450 gram. Kjo masë erdhi pasi që furrtarët nuk i ulën çmimet e produktit bazë, bukës megjithëse shfrytëzuan energji elektrike të subvencionuar për 3 muaj dhe përfituan nga marzha 5% e TVSH në shitje.

“Gjithçka është shtrenjtuar andaj atë që ia lejojnë vetes do ta blejmë, të tjerat që janë luksoze nuk është patjetër të blihen. Çmimet vetëm rriten, por dhe bujqit duhet të kenë ndonjë benefit të asaj që prodhojnë, por përfitojnë edhe tregtarët, ne jemi ata që humbasim shumë nga kjo ngritje e çmimeve”, tha një qytetare.

Qeveria mori dy vendime të reja për ngrirje të çmimeve të pastave dhe të prodhimeve të qumështit. Makaronat dhe pastat, do të kenë 15% çmime më të ulëta duke u ngrirë çmimet nga 16 marsi. Meqë këto produkte 100% importohen nga jashtë, që atëherë u liruan plotësisht nga dogane, e cila me masën paraprake paguanin vetëm 50% të detyrimeve doganore.

“Me bujqësi merrem, por puna jonë këtu nuk paguhet. Plehu artificial nuk prodhohet, gjitha të blera nga jashtë, e ku të ja vlejë kultivimi. E kanë lënë të gjithë tokën pa punuar. Kam mbjell grurë, por nuk ia vlenë, 1 hektar të jep rendiment 3 tonelata, nga 10 denarë kg bëjnë 500 euro, gjysmën ti merr mulliri, gjysmën kombaji e traktori, asgjë nuk mbetet”, shtoi një qytetar.

Nga 22 Marsi vezët patën çmime të ngrirë 8,5-9,8 denarë, varësisht nga madhësia dhe paketimi tyre. Dmth, qytetarët do të vazhdojnë ti blejnë 10 kokrra vezë jo më shtrenjtë se nga 85 deri në 100 denarë.
Qeveria solli vendim që prodhuesit vendor të shesin vezët sipas çmimit referent të 15 marsit në treg.
Sipas vendimit të ekzekutivit, prodhuesit vendor duhet të ndjekin dinamikën e prodhimit sipas muajit janar dhe shkurt, ndërsa vetëm 30% të vezëve ti eksportojnë jashtë.

“Valla me çmimet pak të shtrenjta janë në përgjithësi janë të larta krejt. Vetëm për ushqime ndër 500 euro nuk mundesh të mbijetosh, mesatare. Nuk është e vërtetë, çmimet janë njësoj si përpara”, u shpreh një tregtar.

Në muajin prill u ngrinë edhe çmimet e 11 produkteve të fruta-perimeve. Me vendim të Qeverisë nga 5 prilli dhjetëra lloje të pemëve dhe perimeve me çmime më të ulëta u zbatuan si në markete ashtu edhe në tregje. Por kjo masë nuk i obligoi prodhuesit e tregtarët për sasinë e shitur dhe vështirë u zbatua në tregje meqë nuk kishte arka fiskale.

“Vështirë është bërë edhe s’kanë para, shitje ka! Dikush ka, dikush s’ka ama shkojnë të blejnë më lirë. Nuk ka fitim, te këto i kam 10 denarë fitim. Ku të shkojmë tjetër të punojmë, nuk ka punë!”, shtoi një tjetër tregtar.

Vendimi i parafundit për ngrirje të çmimeve që u bë në shtator, ishte i pesti me radhë. Duke u bazuar nga masat paraprake, analizat e ekspertëve të ekonomisë tregojnë se efekti ka qenë i ulët për ulje të çmimeve. Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi, së fundmi tha se draft-Ligji për tregti jo korrekte është dorëzuar në Kuvend me flamur evropian dhe pritet që gjatë janarit të miratohet në shtëpinë ligjvënëse.

“Në Ligjin për parandalimin e praktikave tregtare jo korrekte parashikohet që me propozim të Ministrisë së Ekonomisë dhe në konsultim me Organizatat e konsumatorëve dhe Odat ekonomike të hartohet një listë me produkte që për gjithë vitin do të jenë në kuadër të këtij ligji, ku nuk mund të ketë marzhë në gjithë rrjetin e tregtisë më të lartë se 10% fitim”, theksoi Kreshnik Bekteshi, Ministër i Ekonomisë.

Në seancën e fundit qeveritare për 2023 u vendos që masa për çmimet e garantuara të produkteve ushqimore dhe pijeve alkoolike të vazhdohen edhe për një muaj, përkatësisht deri më 31 janar 2024. Kjo do të thotë se qytetarë edhe për një muaj çmimet bazë do ti blejnë me 10% më lirë sesa kostoja në tregun real. Por kjo masë u vazhdua si pasoj e mos arritjes në kohë të miratimit të Ligjit për parandalimin e tregtisë jo korrekte, që pritet tu jep fund keqpërdorimeve të tregtarëve në industrinë ushqimore./Alsat.mk