Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM) prezantoi metodologjinë e re për llogaritjen e shportës sindikale. Kostoja e standardit të jetesës pritet të jetë një nga bazat e rritjes së pagave minimale në mënyrë lineare. Sipas përllogaritjes së re për një familje katër anëtarësh në muajin dhjetor do të duhet të shpenzojnë së paku 56,522 denarë për të mbyllur muajin e 12-të të këtij viti. Kësaj shumë kur ti shtohet edhe qiraja për banim, mesatarisht 15,450 denarë, kostoja mujore do të arrinte në 71,927 denarë për familje me 4 veta.
“Qiraja, uji, rryma, dhe ngrohja 21,324 denarë; Ushqimi dhe pijet 20,730 denarë; Shkollimi 6,941 denarë; Transporti 4,873 denarë; Veshmbathja 4,821 denarë; Rekreacion dhe kulturë 4,245 denarë; Restorante dhe hotele 3,737 denarë; Komunikim 2,473 denarë; Higjiena personale dhe mirëmbajta shtëpiake 1,714 denarë dhe Shërbimet shëndetësore 1,115 denarë në muaj”, tha Metodologjia e re e shportës së konsumit mujor.
Por, gjatë vitit që lamë pas shpeshherë ka pasur përplasje ndërmjet LSM-së dhe autoriteteve të pushtetit lidhur me përllogaritjen e shportës minimale konsumatore. Ministria e Ekonomisë duke u thirrur në të dhënat e Entit shtetëror të statistikave në muajt e krizës kanë shfaqur një kosto më të ulët krahasuar me atë që prezantonin sindikalistët, me arsyetimin se LSM ka llogaritur dy herë normën e inflacionit në vend.
“Pas 13 vitesh erdhi koha të bëj llogaritje të re për shportën minimale sindikale, e cila do të jep rezultatet e dëshiruara që ne si LSM i kemi pritur. Metodologjinë e re që do ta prezantojnë dy profesorët do të jetë baza që sindikata në 2024 do të angazhohet për rritjen e pagave të punëtorëve. E njëjta do të paraqitet si motiv te punëdhënësit privat dhe funksionarët e shtetit për gjetjen e nevojave reale të rritjes së pagave”, u shpreh Sllobodan Trendafilov, Kryetar i Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë.
Ministrja e punës dhe politikës sociale Jovanka Trençevska, tha se ky vit ishte i begatshëm për fuqinë punëtore, sidomos në sektorin publik, duke theksuar marrëveshjen e re kolektive, projektligjin e ri për marrëdhëniet e punës, ditën e diel jo pune, dhe ligjin për pagën minimale që do të rritet vazhdimisht. Ministrja Trençevksa tha se të drejtat e punëtorëve jo vetëm që ndalin eksodin, por siguron mirëqenie dhe metodologjia e re për llogaritjen e shportës sindikale do të ndikojë në rritjen e pagave në 2024.
“Kjo metodologji do të na mundësoj ti analizojmë nevojat relevante në kohë reale për të formuar politika të reja, parasë gjithash për zhvillim ekonomik, uljen e varfërisë në shoqëri, ngritjen e cilësisë së jetesës së të gjithë qytetarëve tanë. Llogaritja e re e shportës së konsumit do të na ndihmoj jo vetëm në legjislativ të punës, por edhe në krijimin e politikave në mbrojtjen sociale”, theksoi Jovanka Trençevska, Ministre e Punës dhe Politikës Sociale.
Sipas përllogaritjes së LSM-së, shporta sindikale vjetore do të arrinte në 863,665 denarë ose mbi 14 mijë euro në vit vetëm për ti mbuluar shpenzimet minimale në ushqim, pije, veshmbathje, qiraja banimit, uji, rryma, higjiena personale dhe mirëmbajta e shtëpisë, shërbimet shëndetësore, transporti, komunikimi, rekreacioni dhe kultura, shkollimi, shpenzimet në restorante dhe hotele si dhe harxhimet tjera shtesë. /Alsat.mk